‘Nuk presim afganë’, kryeministri grek Mitsotakis thirrje Evropës të marrë masa për emigrantët

Kyriakos Mitsotakis

Greqia nuk do të lejojë një përsëritje të krizës së emigrantëve si ajo e vitit 2015, pas përkeqësimit të situatës në Afganistan.

Kështu deklaroi të premten kryeministri Kyriakos Mitsotakis, pas një vizite në një kamp të ri refugjatësh të ngritur në një ishull në afërsi të Turqisë.

Marrja e Afganistanit nën kontroll nga talebanët ka ngjallur në Evropë frikën e përsëritjes së skenarit të 6 viteve më parë, kur mbi 1 milion azil-kërkues nga Siria udhëtuan drejt Evropës duke kaluar nga Turqia në Greqi.

Si shembull të ashpërsimit të politikës së saj kundrejt emigracionit, Greqia hapi më herët gjatë muajit një kamp të financuar nga BE në ishullin Samos, i mbikëqyrur rreptësisht dhe i rrethuar me tela me gjemba.

“Solidariteti evropian nuk mund të kufizohet me financimin e ngritjes së kampeve, por me një marrëveshje moderne mbi emigracionin dhe azilin, që do të sjellë një ndarje të drejtë të përgjegjësive për menaxhimin e një problemi kompleks, që prek gjithë Evropën”, u shpreh Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis u tha gazetarëve gjatë kthimit për në Athinë se Evropa duhet të punojë me vendet fqinje të Afganistanit, në mënyrë që refugjatët afganë të qëndrojnë në rajon.

Greqia priti 26 gra afgane, kryesisht avokate dhe gjyqtare, si dhe familjet e tyre, por kreu i qeverisë tha se, ky rast përbën një përjashtim dhe nuk duhet të interpretohet si një tregues i dyerve të hapura.

Që prej 15 gushtit, kur talebanët morën Afganistanin, vendi është zhytur në një krizë ekonomike. Kryqi i Kuq ndërkombëtar deklaroi të enjten se brenda pak javësh, në të do të pllakosë një krizë urie, që mund të nxisë emigracionin në masë. /euronews