Sipas raportimeve, nxënësit e shkollës nr. 69 në Baku dhe të shkollës së mesme B. Shiriyev, në fshatin Mollaoba të rajonit Masalli, kanë refuzuar të ndjekin mësimin dhe kanë kërkuar që shoqeve të tyre që mbajnë hixhab t’u lejohet kthimi në shkollë.
Kufizimet vijnë pas ndryshimeve në rregulloren për uniformat shkollore, të miratuara nga Kabineti i Ministrave të Azerbajxhanit më 21 shtator, të cilat përfshijnë edhe kërkesa të reja për veshjen e mësimdhënësve.
Masat kanë nxitur kritika nga nxënësit dhe prindërit, të cilët thonë se ato kufizojnë të drejtën e arsimimit për vajzat që mbajnë hixhab. Departamenti i Arsimit në Baku ka njoftuar se do të nisë monitorimin e zbatimit të rregullave të reja në shkollat publike.
Ndërkohë, gazetari i burgosur Polad Aslanov, drejtues i portalit të lajmeve Xeberman, ka nisur një grevë urie të enjten, në shenjë proteste ndaj kufizimeve. Bashkëshortja e tij, Gulmira Aslanova, bëri të ditur se ai po mbahet në institucionin korrektues nr. 15.
Aslanov tha se greva e urisë synon të tërheqë vëmendjen ndaj ndalimit të nxënëseve që mbajnë hixhab për të ndjekur mësimin, si dhe kufizimeve për veshjen e mësimdhënësve. Ai deklaroi gjithashtu se është kufizuar edhe e drejta e fëmijës së tij për arsimim.
“Deklaroj se kam nisur grevën e urisë për të mbrojtur të drejtat e fëmijës tim dhe të të gjithë nxënëseve që mbajnë hixhab, të cilave u kufizohet e drejta për arsimim, si dhe të të gjitha mësimdhënëseve që mbajnë hixhab, të cilat po detyrohen të zgjedhin mes arsimimit dhe mbajtjes së hixhabit”, tha ai.
Aslanov shtoi se disa ditë më parë i ishte drejtuar Allahshukur Pashazades, kreut të Bordit të Myslimanëve të Kaukazit, por nuk kishte marrë përgjigje.
Ai argumentoi se kufizimet për veshjen shkelin nenin 48 të Kushtetutës së Azerbajxhanit, i cili garanton lirinë e ndërgjegjes.
Aslanov u arrestua në vitin 2019 nën akuzat për tradhti dhe fillimisht u dënua me 16 vjet burgim. Më vonë, dënimi iu ul në 13 vjet. Ai i mohon akuzat dhe thotë se po ndëshkohet për punën e tij si gazetar.
Ndërkohë, sipas medies Meydan TV, një mësimdhënëse që mbante hixhab në shkollën e mesme nr. 90 “Richard Sorge” në Baku është larguar nga puna.
Azerbajxhani është një vend me shumicë muslimane, edhe pse zyrtarisht është shtet laik. /mesazhi








