Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe disa vende arabe kanë dënuar ashpër deklaratat e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee, lidhur me zgjerimin territorial të Izraelit në Lindjen e Mesme.
Huckabee, në një intervistë për gazetarin amerikan Tucker Carlson, tha se Izraeli ka të drejtë biblike mbi territorin që shtrihet nga lumi Nil deri te lumi Eufrat, duke shtuar: “Do të ishte në rregull nëse do ta merrnin të gjithë.” Ai mbrojti gjithashtu veprimet e Izraelit në Gaza dhe përmendi idenë e “providencës hyjnore” si bazë për kontrollin e rajonit.
OBI i cilësoi këto deklarata si “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, duke theksuar se ato përbëjnë thirrje për zgjerim të një fuqie pushtuese dhe shkelin sovranitetin e shteteve, normat diplomatike, të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Organizata paralajmëroi se retorika e tillë nxit ekstremizëm dhe rrezikon stabilitetin rajonal.
Blloku islamik rikonfirmoi mbështetjen për të drejtat legjitime të popullit palestinez, përfshirë të drejtën për vetëvendosje dhe krijimin e një shteti të pavarur në kufijtë e 4 qershorit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
Edhe disa vende arabe reaguan veçmas duke e dënuar deklaratën si provokuese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Jordania e quajti deklaratën “absurde dhe provokuese”, duke theksuar se ajo cenon sovranitetin e shteteve dhe bie ndesh me qëndrimet publike të presidentit amerikan Donald Trump kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.
Egjipti e cilësoi deklaratën si shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe theksoi se Izraeli nuk ka sovranitet mbi territoret e pushtuara palestineze apo mbi toka të tjera arabe.
Arabia Saudite dënoi “në termat më të ashpër” deklaratat e Huckabee-t, duke i konsideruar si precedent të rrezikshëm që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo bëri thirrje për zgjidhje të drejtë përmes formulës me dy shtete.
Kuvajti, Iraku dhe Omani gjithashtu hodhën poshtë deklaratat, duke theksuar se ato bien ndesh me rezolutat ndërkombëtare dhe dëmtojnë përpjekjet për stabilitet në rajon.
Deklaratat e ambasadorit amerikan kanë rindezur debatet për konceptin e “Izraelit të Madh”, që në disa interpretime përfshin Bregun Perëndimor, Gazën dhe Lartësitë e Golanit, si dhe territore të tjera arabe. /mesazhi
