Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së: Është e qartë se bota është e papërgatitur ndaj pandemive

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se “është e qartë se bota është e papërgatitur ndaj pandemive”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Asamblenë e 75-të Botërore të Shëndetësisë, Ghebreyesus vlerësoi gatishmërinë e botës për pandemitë globale, përfshirë COVID-19, planin Global të Sigurimit të Shëndetit dhe synimin e OBSH-së për të ofruar shërbim më të mirë shëndetësor për një miliard njerëz deri në vitin 2023.

Ai tha se OBSH-ja në pesë vitet e fundit ka intervenuar në mbi 120 situata emergjente, përfshirë fatkeqësi natyrore dhe sëmundje pandemike.

“Është e qartë se bota është e papërgatitur ndaj pandemive. Prandaj, vitin e kaluar e themeluam Njësinë e Përcjelljes së Urgjencës Shëndetësore në Berlin, me qëllim që të rrisim shkëmbimin e njohurive bashkëpunuese dhe të teknologjisë mes vendeve anëtare. Si organizatë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona në mënyrë që vendet anëtare të jenë më të përgatitura teknikisht, operacionalisht dhe logjistikisht kundër pandemisë aktuale dhe pandemive të ardhshme”, tha ai.

Duke folur për planin global të sigurimit të shëndetit në të cilën do të përfshihen një miliard njerëz deri në vitin 2023, ai tha: “Jemi mjaft prapa këtij plani. Edhe para pandemisë, kishte një deficit prej 730 milionësh drejt synimit një miliard deri në vitin 2023. Ndërprerjet në sistemin global shëndetësor me pandeminë e rritën këtë deficit në 840 milionë”.

OBSH duhet të luajë rol qendror në politikat e globale të shëndetësisë

Më tej, Ghebreyesus, tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e planit Global të Sigurimit të Shëndetit që bota të përgatitet më mirë për pandemitë e reja si dhe që më shumë njerëz të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore në vendet me të ardhura të ulëta, duke theksuar se “OBSH duhet të luajë rol qendror në politikat e globale të shëndetësisë”.

Ghebreyesus për vitet e ardhshme, vendeve anëtare të OBSH-së u bëri rekomandime si “dekarbonizimi i sektorëve shëndetësorë”, “zbatimin e standareve të cilësisë globale të ajrit”, “reduktimin e varësisë nga makinat dhe promovimin e transportit publik”, “rritja e energjisë elektrike, ujit dhe higjienës në objektet e kujdesit shëndetësor”, “përmirësimi i cilësisë së ushqimit për të ndaluar obezitetin në 24 vende deri në vitin 2025” si dhe “promovimi i reduktimit të përdorimit të produkteve të dëmshme”.

Në Asamblenë e 75-të Botërore të Shëndetësisë që këtë vit organizohet me sloganin “Shëndet për Paqe, Paqe për Shëndet”, do të trajtohen përgatitjet për pandemi të reja globale pas COVID-19, ndikimi i luftës Rusi-Ukrianë në infrastrukturën shëndetësore të Ukrainës si dhe projekti i Iniciativës së Paqes për Shëndetin Global të filluar nga OBSH.

Në Asamblenë që do të zgjasë deri më 28 maj do të zgjidhet edhe drejtori i ri i OBSH-së. /aa