Sipas një raporti të UN Women të publikuar sot, dhuna online ndaj grave në jetën publike është intensifikuar ndjeshëm, pasi 7 në 10 gra mbrojtëse të të drejtave të njeriut, aktiviste dhe gazetare kanë raportuar se kanë përjetuar abuzim dixhital, transmeton Anadolu.
Raporti, i cili u hartua me Komisionin Evropian dhe partnerët e kërkimit, zbulon se 41 për qind e grave të anketuara janë përballur me dëmtime jashtë linje të lidhura me sulmet online (në internet).
“Këto shifra konfirmojnë se dhuna dixhitale nuk është virtuale, është dhunë reale me pasoja në botën reale”, tha Sarah Hendricks, drejtoreshë e politikave, programit dhe divizionit ndërqeveritar në UN Women.
Gratë që flasin për të drejtat e njeriut “po shënjestrohen me abuzim të dizajnuar për t’i turpëruar, heshtur dhe larguar ato nga debati publik”, tha ajo duke shtuar se sulme të tilla gjithnjë e më shumë “përfundojnë në dyert e grave”.
Për gazetarët, rritja është veçanërisht alarmante. Në anketën globale të UNESCO-s të vitit 2020, 20 për qind e sulmeve jashtë linje lidhen me abuzimin online. Në anketën e re të vitit 2025, kjo përqindje është rritur më shumë se dyfishi i saj duke shënuar 42 për qind.
“Këto të dhëna tregojnë se në epokën e abuzimit të nxitur nga inteligjenca artificiale dhe autoritarizmit në rritje, dhuna online ndaj grave në sferën publike është në rritje”, tha Julie Posetti, studiuesja kryesore. Ajo e quajti trendin e dokumentuar “të rrezikshëm dhe potencialisht vdekjeprurës”.
Raporti vuri në dukje se pothuajse një në katër të anketuar përjetuan dhunë të asistuar nga inteligjenca artificiale, përfshirë imazhe të rreme, me ekspozimin më të lartë midis shkrimtarëve dhe komunikuesve publikë.
UN Women tha se gjetjet nxjerrin në pah nevojat urgjente për ligje më të forta, llogaridhënie të platformave dhe sisteme më të mira mbrojtjeje.

