OKB: 74 mijë jemenas të zhvendosur gjatë vitit 2021

Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti mbi 74 mijë jemenas janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve të vazhdueshme në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nga 1 janari i vitit 2021 deri më 9 tetor të vitit 2021, ‘IOM Jemen’ vlerëson se 12.413 familje (74.478 individë) kanë përjetuar zhvendosje të paktën një herë”, njoftoi IOM.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se zbuloi zhvendosjen e 504 familjeve (3.024 individë) të paktën një herë vetëm në periudhën midis 3 dhe 9 tetorit.

Sipas IOM-it, shumica e zhvendosjeve rezultuan nga rritja e konfliktit në Marib, Shabwah dhe Albayda.

Muajt e fundit, rebelët Houthi kanë shtuar sulmet për të marrë kontrollin e provincës Marib të pasur me naftë, e cila është një nga fortesat më të rëndësishme të qeverisë legjitime dhe është vendi ku ndodhet Ministria e Mbrojtjes e Jemenit.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, që synon rivendosjen e qeverisë së Jemenit, ka përkeqësuar situatën, duke çuar vendin në një nga krizat më të rënda humanitare në botë të shkaktuara nga njeriu. Sipas vlerësimeve të OKB-së, në këtë konflikt rreth 233 mijë njerëz janë vrarë, pothuajse 80 për qind ose 30 milionë banorë janë në nevojë për ndihmë apo mbrojtje humanitare, si dhe mbi 13 milionë janë në rrezik të urisë. /aa