Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB-ja paralajmëron rrezikun e një krize globale të shkaktuar nga lufta në...

OKB-ja paralajmëron rrezikun e një krize globale të shkaktuar nga lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një “stuhi të vërtetë” krizash në ushqim, energji dhe financa që kërcënon të shkaktojë dëme të mëdha, veçanërisht në ekonomitë e vendeve më të varfra, deklaroi të mërkuren shefi i OKB-së António Guterres, në Nju Jork.

Gjatë prezantimit të raportit të parë të Grupit të Reagimit Global të Krizave për Ushqimin, Energjinë dhe Financat, i krijuar në ditët e para të luftës ruse në Ukrainë, Guterres tha se ndikimi i luftës është global dhe sistematik.

“Afërsisht 1.7 miliardë njerëz, një e treta e të cilëve tashmë jetojnë në varfëri, tani janë më të ekspozuar ndaj ndërprerjeve në sistemet e ushqimit, energjisë dhe financave që po shkaktojnë rritje të varfërisë dhe urisë”, tha Guterres.

Guterres përmendi gjithashtu faktin se 36 vende importojnë më shumë se gjysmën e grurit të tyre nga Rusia dhe Ukraina.

“Rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, mund të çojë në paqëndrueshmëri sociale dhe politike”, tha Guterres.

“Bota jonë nuk mund ta përballojë këtë. Ne duhet të veprojmë tani”, tha ai. /atsh

Exit mobile version