OKB: Kina të lejojë menjëherë vëzhguesit të hyjnë në Sianking (Xinjiang)

Dyzetë e tre (43) vende, përfshirë Turqinë, i bënë thirrje Kinës, e cila akuzohet në OKB për ushtrimin e presionit dhe dhunës ndaj turqve ujgurë dhe pakicave të tjera myslimane në Rajonin Autonom Ujgur të Sinkiangut (Xinjiang), “të lejojë menjëherë hyrjen pa pengesa të vëzhguesve të pavarur përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut”.

Në takimin e Komitetit të 3-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili trajton çështjet e të drejtave të njeriut, 43 vende bënë një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimin për shkeljet e të drejtave të njeriut në Sinkiang.

Raporte të besueshme flasin për kampe të “riedukimit politik”, ku më shumë se një milion njerëz janë arrestuar në mënyrë arbitrare.

Gjithashtu kemi rritje të numrit të raporteve që dokumentojnë torturën, trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues, sterilizimin e detyruar, dhunën seksuale dhe ndarjen e detyruar të fëmijëve nga familjet e tyre.

Deklarata vuri në dukje se vazhdon ende monitorimi disproporcional i ujgurëve dhe pakicave, duke i bërë thirrje Kinës, e cila akuzohet për persekutimin e turqve ujgurë dhe pakicave të tjera myslimane në Rajonin Autonom Ujgur të Sinkiangut, të “lejojë menjëherë dhe pa pengesa Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe vëzhguesit e pavarur të vizitojnë rajonin”.

Përmes deklaratës Kinës i bëhet thirrje që të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të respektojë të drejtat e njeriut.

Ndërsa OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë përsëritur thirrjet e tyre për hapjen e kampeve për inspektim, qeveria kineze i mohon akuzat dhe refuzon të lejojë zyrtarët e OKB-së që të inspektojnë lirisht zonën për të marrë informacion të drejtpërdrejtë. /trt