OKB: Kriza në Etiopi, një njollë në ndërgjegjen tonë

Martin Griffiths

Zëvendës sekretari i përgjithshëm për çështjet humanitare dhe koordinatori i OKB-së për ndihma emergjente, Martin Griffiths tha se “kriza humanitare në rajonin Tigray është një njollë në ndërgjegjen tonë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për media, Griffiths tërhoqi vëmendjen për vdekjen e njerëzve nga uria, kryesisht të fëmijëve në rajonin Tigray në veri të Etiopisë.

Ai bëri thirrje për ndihma ushqimore dhe mjekësore dhe tha se “Kriza në Etiopi është një njollë në ndërgjegjen tonë”.

Duke rikujtuar urinë e përjetuar në 1980 në Etiopi e cila shkaktoi vdekjen e rreth 1 milion njerëzve, Griffiths shtoi se shpresojnë që e njëjta të mos ndodhë sërish.

“Në rajonin Tigray mund të mbërrijnë vetëm 10 për qind e materialeve të ndihmës për të cilat ka nevojë popullata. Njerëzit në vend të ushqimit konsumojnë lule, bimë dhe rrënjë”, tha ai.

Griffiths apeloi për ndihmë duke tërhequr vëmendjen se për shkak të pamjaftueshmërisë së ushqimit njerëzit do të fillojnë të vdesin.

Kriza humanitare rritet për shkak të konflikteve në rajon

Kriza humanitare në rajon u rrit pasi lufta për pushtet që ndodhi mes ushtrisë federale dhe Frontit Popullor Çlirimtar i Tigray-it (TPLF) në rajonin Tigray në veri të vendit u përhap në rajonet fqinje.

Ushtria e Etiopisë edhe pse arriti sukses të pjesshëm në operacionet e filluara në nëntor të vitit 2020 kundër rebelëve, ajo u tërhoq nga kryeqyteti i Tigray-it, Mekelle më 28 qershor duke treguar si arsye situatën humanitare.

Qeveria e cila kishte shpallur armëpushim të njëanshëm, kaloi në kundërsulm pas përparimit të shpejtë të TPLF-së në veri.

Përderisa konfliktet që vazhdojnë prej 10 muajsh në veri të vendit kanë zhvendosur rreth 2.5 milionë njerëz, thuhet se aktualisht mbi 5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare.

Vetëm në rajonin Tigray 5.2 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare ndërsa ka arritur në 400 mijë numri i personave që jetojnë në kushte të rënda.

Në Tigray ku institucionet arsimore dhe shëndetësore janë jashtë funksionit për shkak të problemeve të sigurisë dhe karburantit nuk mund të dërgohen ndihma të mjaftueshme. /aa