OKB: Në Afganistan 18.8 milionë njerëz përballen me pasiguri akute ushqimore

Agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njoftoi se numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore në Afganistan është 18.8 milionë dhe se kjo shifër pritet që të arrijë në 22.8 milionë deri në fund të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga agjencia e OKB-së me qendër në Romë thuhet se populli afgan ndodhet përballë thatësirës së përhapur dhe rrënimit të ekonomisë dhe burimeve rurale të jetesës. Po ashtu thuhet se FAO ka ofruar ndihma jetë-shpëtuese për fermerët dhe mbarështuesit në rajone të ndryshme për të mbështetur vazhdimin e prodhimit bujqësor, por që ka nevojë për shumë më tepër.

“Numri i njerëzve që përballen me pasigurinë akute ushqimore në Afganistan është 18.8 milionë. Nuk mund të ushqejnë çdo ditë veten e tyre dhe se kjo shifër pritet të arrijë në 22.8 milionë persona deri në fund të vitit 2021”, thuhet në deklaratë.

Drejtori i përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu tha se “Duhet të ndihmojmë që Afganistani të shpëtojë nga kurthi i urisë. Nëse i ngordhin kafshët ose nëse nuk kultivohen fushat e tyre, miliona afganë do të jenë në prag të katastrofës. Nevojitet investim emergjent për prodhim në bujqësi dhe blegtori”.

FAO ka nevojë për 115 milionë dollarë për të arritur tek 5 milionë njerëz këtë dimër dhe në pranverën e ardhshme, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se nevojiten edhe 85 milionë dollarë në vitin 2022 për të parandaluar rrënimin e burimeve të jetesës dhe zhvendosjen masive si dhe për të financuar ndërhyrjen humanitare të FAO-s.

Ndërkohë edhe përfaqësuesi i FAO-s për Afganistanin, Richard Trenchard duke tërhequr vëmendjen se ka nevojë për para në mënyrë që fermerët afganë të prodhojnë sërish ushqime tha se “Bujqësia nuk mund të presë. Populli i Afganistanit nuk mund të presë”. /aa