Zëdhënësi i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Rupert Colville, njoftoi se ata nuk kanë leje për qasje në asnjë mënyrë në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang në Kinë, rajon i përfolur për shkeljet ndaj identitetit dhe kulturës së turqve ujgurë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për shtyp në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ndaj pyetjes së gazetarit të AA-së se: “Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, prej vitesh bën thirrje për ‘qasje të kuptimtë’ në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang. Cila është situata e fundit në negociatat me Kinën për këtë çështje?”, zëdhënësi Colville u përgjigj se: “Në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang nuk kemi leje për qasje ‘kumptimplotë’ ose të ndonjë lloji tjetër”.
Leja për qasje nuk është çështja e vetme që ndjekim, deklaroi Colville, i cili ndau informacionin se është në përfundim një vlerësim i përgatitur nën dritën e informacioneve aktuale lidhur me pretendimet për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në rajon.
Colville shtoi se vlerësimi i përgatitur nga zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të ndahet me opinionin publik në të ardhmen e afërt.
Bachelet, e cila që nga viti 2018 kur mori detyrën e deri më tani i ka bërë thirrje Kinës për qasje në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang, në një deklaratë që bëri më 13 shtator në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu keqardhjen e saj që për këtë çështje nuk është siguruar përparim.
Praktikat e Kinës në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang
Shkeljet e Kinës në vitet e fundit ndaj identitetit dhe kulturës së turqve ujgurë kritikohen nga opinioni ndërkombëtar.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1 milion turq ujgurë mbahen jashtë dëshirës së tyre në vende të cilat Pekini i emërton si “qendra të arsimit profesional”, ndërsa opinioni ndërkombëtar i definon si “kampe të riedukimit”.
Qeveria e Pekinit nuk jep informacione lidhur me numrin e kampeve që ndodhen në Rajonin Autonom Ujgur Xinjiang, se sa persona qëndrojnë këtu dhe se sa persona janë rikthyer në jetën sociale.
OKB-ja dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë përsëritur thirrjen e tyre për lejimin e vëzhgimit të kampeve, ndërkohë që Kina deri më tani ka lejuar një numër të vogël të diplomatëve të huaj dhe disa gazetarë që të shikojnë pjesërisht vetëm disa kampe që ajo vetë i ka përcaktuar.
Autoritetet kineze refuzojnë kërkesat e zyrtarëve të OKB-së për të vëzhguar lirisht në rajon me qëllimin për të marrë informacione të drejtpërdrejta.