OKB paralajmëron: Ekonomia e Afganistanit në prag të kolapsit

Sistemi i kujdesit shëndetësor në Afganistan po dështon dhe ekonomia është në prag të kolapsit, paralajmëroi Mary-Ellen McGroarty, drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP) për Afganistanin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ajo tha se premtimet dhe angazhimet e donatorëve “duhet të bëhen realitet urgjentisht” para se të jetë vonë.

Në një video-konferencë nga kryeqyteti afgan, Kabul, ajo tha se Afganistani ka huazuar kohë.

“Kurrë nuk kam parë më parë që kriza të shpaloset me një ritëm kaq të shpejtë”, tha ajo duke shtuar se të drejtat e grave, vajzave dhe pakicave gjithashtu janë në rrezik.

Sipas OKB-së, nga konfliktet me dekada dhe zhvendosjet, Afganistani ka pësuar nga varfëria kronike, thatësirat e rënda dhe pandemia e COVID-19.

“Ne jemi dëshmitarë të thellësisë së re të varfërisë meqë thatësira dhe kriza ekonomike rrisin çmimet e ushqimit dhe karburantit”, tha McGroarty, duke theksuar se familjet afgane “dëshpërimisht” kanë nevojë për mbështetje ndërsa afrohet moti më i ftohtë.

Gjysma e popullsisë, më shumë se 18 milionë njerëz, kanë nevojë për mbijetesë ndërsa konfliktet kanë zhvendosur më shumë se 3.5 milionë njerëz, përfshirë rreth 700 mijë këtë vit.

Në mes të gushtit, talebanët vendosën kontrollin mbi Afganistanin paralelisht me tërheqjen e trupave amerikane nga vendi. /aa