Operacioni në të cilin u raportua të jetë vrarë Baghdadi zgjati 4 orë

Aksioni amerikan në të cilin u raportua të jetë vrarë udhëheqësi i organizatës terroriste DEASH, Abu Bakr al-Baghdadi, në Sirinë veriperëndimore, zgjati për rreth katër orë, pohuan burimet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Operacioni, në të cilin u përdorën helikopterë, dronë dhe njësitë tokësore, u zhvillua disa kilometra larg nga kampi Tourlaha në provincën veriore Idlib, ku janë strehuar civilë të zhvendosur, thanë burimet, të cilët kërkuan të ngelen anominë për shkaqe sigurie.

Vendndodhja është goditur fillimisht nga tetë helikopterë amerikanë dhe dy dronë për më shumë se një orë e gjysmë, thanë burimet.

Sipas burimeve, elemente të paidentifikuara në tokë më pas janë përgjigjur me të shtëna të rënda.

Pas kësaj përleshjeje fillestare, helikopterët janë kthyer në zonë dhe kanë hapur zjarr ndaj shënjestrave në tokë para se të ulen dhe të shpërndajnë luftëtarët, që mendohet të jenë Forcat Speciale të SHBA-së.

Burimet thanë se faza e dytë e luftimeve vazhdoi për dy orë e gjysmë, ndërsa helikopterët amerikanë janë larguar nga zona pas një periudhe totale prej katër orësh.

Paramedikët që kanë nxituar në zonë kanë thënë se kanë parë një shtëpi të shembur dhe disa tenda të djegura pranë vendit ku është zhvilluar aksioni amerikan.

Shtatë kufoma, tre meshkuj, tri gra dhe një fëmijë, thuhet se janë tërhequr nga vendi i ngjarjes nga ana e paramedikëve, të cilët gjithashtu kanë ofruar ndihmën e parë për pesë të plagosur, shtuan burimet.

Hapësira ajrore mbi Idlib aktualisht është nën kontrollin e Rusisë, e cila është mbështetësi kryesor i regjimit të Asadit.

Mediat amerikane sot në mëngjes raportuan se al-Baghdadi besohet të jetë vrarë në një operacion amerikan, megjithëse ende nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump postoi në Twitter se “Diçka shumë e madhe sapo ka ndodhur”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump të dielën pritet të bëjë një “njoftim të madh” në ora 9:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Vendndodhja dhe statusi i Baghdadit kishim mbetur fshehtësi dhe deri më tani janë bërë pretendime të shumta se ai ishte vrarë në fushëbeteja të ndryshme në Irak dhe Siri.