Opozita i mbledh nënshkrimet: Shkarkimi i Dakës nga Osmani përfundon në Kushtetuese

Kryetari i PDK-së në detyrë, Enver Hoxhaj ka njoftuar se janë mbledhur nënshkrimet për dërgimin në Kushtetuese të vendimit të Vjosa Osmanit për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook.

Hoxhaj me këtë rast ka falënderuar të gjithë deputetët që nënshkruan për këtë çështje.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje.