Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar të paktën 453 inkursione tokësore të forcave izraelite në Siri dhe vrasjen e të paktën 69 personave mes 8 dhjetorit 2024 dhe 6 tetorit 2026, transmeton Anadolu.
Siç raporton kanali sirian Al-Ekhbariya, shifrat janë përfshirë në një raport të rrjetit që shqyrton praktikat dhe shkeljet e forcave izraelite në territorin sirian që nga rrëzimi i regjimit të mëparshëm.
Sipas raportit, inkursionet janë përqendruar në provincat jugore Quneitra dhe Daraa, si dhe në një masë më të vogël në zonat rurale të Damaskut.
Rrjeti dokumentoi të paktën 162 raste të ndalimeve arbitrare nga Izraeli. Nga personat e ndaluar, 127 janë liruar, ndërsa fati i 35 të tjerëve mbetet i panjohur për rrjetin dhe familjet e tyre.
Gjithashtu, ai dokumentoi shembjen e të paktën 15 shtëpive të banorëve civilë nga forcat izraelite pas inkursionit në fshatin Hamidije, në zonat rurale të Quneitra-s.
Raporti dokumentoi operacione të gjera të rrafshimit të tokës në Rezervatin Natyror Xhabata al-Khashab, në veriun rural të Quneitra-s, më 17 dhe 18 tetor 2025.
Në fund të janarit, rrjeti regjistroi raste kur trupat izraelite spërkatën kullotat në Quneitra me një substancë, natyrën e së cilës nuk ishte në gjendje ta përcaktonte.
Ai tha se forcat izraelite rifilluan operacionet e rrafshimit të tokës më 4 tetor, në perëndim të fshatit Al-Asha dhe qytetit Al-Rafid.
Sa u përket sulmeve ajrore, rrjeti dokumentoi qindra sulme ajrore izraelite në provincat e Damaskut, zonat rurale të Damaskut, Hama, Latakia, Homs, Tartus, Suveida dhe Idlib, pa dhënë një bilanc të saktë në të dhënat e publikuara.
Shifrat vijnë në një kohë kur vazhdon prania ushtarake izraelite brenda zonës tampon dhe në pika përreth saj në jug të Sirisë që nga dhjetori 2024.
Më 13 dhjetor të atij viti, Forca e Kombeve të Bashkuara për Vëzhgimin e Marrëveshjes së Shkëputjes (UNDOF) tha se forcat izraelite kishin hyrë në zonën tampon dhe kishin mbetur në disa pozicione brenda saj, duke theksuar se këto lëvizje përbënin një “shkelje të marrëveshjes së shkëputjes të vitit 1974”.
Një raport i OKB-së i publikuar në shtator 2025 dokumentoi gjithashtu vazhdimin e pranisë ushtarake izraelite në zonën tampon dhe në pozicionet fqinje, duke vënë në dukje hapat e Izraelit për të konsoliduar praninë e tij në Lartësitë e Golanit sirian të pushtuara dhe në territoret ku hyri pas dhjetorit 2024.
Marrëveshja e shkëputjes e nënshkruar mes Sirisë dhe Izraelit në vitin 1974 parashikon krijimin e një zone ndarëse të monitoruar nga Kombet e Bashkuara, ndërsa Damasku vazhdon të kërkojë tërheqjen e forcave izraelite dhe respektimin e marrëveshjes.