Presidentja Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë, në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në Neë York, ka takuar presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada, të cilin e ka falënderuar që shteti i tij ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka kërkuar përkrahje nga homologu Quesada që të lobojë te shtetet fqinje të Kostarikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se pret mbështetjen e këtij shteti edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se në dialog me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se epilogu i tij duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe konform rendit juridik të Kosovës.
Në këtë takim, Presidentja Osmani është ndalur edhe të mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror me Kostarikën dhe ka theksuar se të dy vendet duhet t`i promovojnë mundësitë e tregtisë dhe investimeve.
Presidenti i Kostarikës, ndërkaq, shprehu admirimin e tij për përparimin e shpejtë të Kosovës dhe nënvizoi gatishmërinë e tij për të lobuar gjithandej për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.