Presidentja e Vjosa Osmani ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nënvizuar kontributin e ushtarëve dhe sakrificat e bëra më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përtalljeve, të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu u gjetën qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe armët tona në një vend”, tha Osmani.
Ajo shtoi se komandanti legjendar Adem Jashari, bashkë me familjen e tij, zgjodhën sakrificën përpara përkuljes, duke bërë që kullat e tyre të shndërrohen në simbol të përhershëm të lirisë së Kosovës.
“Ata zgjodhën lirinë para frikës e mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës. Ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që lindi një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë”, theksoi presidentja.
Osmani vuri në dukje se këto data janë momenti kur Kosova vendosi të mos jetojë e gjunjëzuar.
“Sot kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, kujtojmë momentin kur Kosova vendosi mos të jetojë e gjunjëzuar. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën, mbarë kombin, por po ashtu zgjoi ndërgjegjen e të gjithë botës”, tha Osmani.
Presidentja gjithashtu theksoi se nga Prekazi nisi orteku i lirisë dhe se Epopeja e marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por edhe akt themelues i Republikës së Kosovës.
“Nga Prekazi nisi orteku i lirisë që nuk u ndal më. Nisi një frymë që u përhap në çdo fshat e në çdo qytet. Nisi një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbet. Epopeja është epike sepse buroi nga populli”, përfundoi Osmani.
