Ballina Lajmet Kosovë Osmani: Raportimi i medieve kyç për të dëshmuar para botës sulmin në...

Osmani: Raportimi i medieve kyç për të dëshmuar para botës sulmin në Banjskë

Liria e shtypit është e drejtë themelore e njeriut, thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbështesin gazetarët për të raportuar pa frikë dhe censurë.

Në një deklaratë për media me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja ka thënë se raportimi i medieve ka qenë kyç për institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë të vërtetën për sulmin terrorist të kryer nga grupi paraushtarak serb në Banjskë.

“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit mbështesim dhe inkurajojmë gazetarët, sikurse edhe riafirmojmë angazhimin tonë për ta mbrojtur të drejtën e tyre për të raportuar pa frikë dhe censurë, si dhe për ta mbrojtur sigurinë e tyre kur ata raportojnë nga vende ku ka mungesë sigurie. Siç u dëshmua edhe pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator 2023 dhe ditët që pasuan, roli dhe raportimi i mediave ka qenë kyç në mënyrë që institucionet e Kosovës të mund ta dëshmojnë para botës të vërtetën rreth atij sulmi”, ka thënë Osmani, përcjell teve1.info

Ajo ka thënë se në kohën kur po kërcënohet paqja e stabilitetit në botë, beteja kundër lajmeve të rreme është urgjente.

“Në një periudhë të mbingarkesës me informacione dhe kur po kërcënohen paqja e stabiliteti në botë dhe në rajonin tonë, beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente”, ka thënë presidentja.

Sipas raportit të Reporterëve Pa Kufij, Kosova ka shënuar rënie për 19 vende sa i përket lirisë se medieve.

Exit mobile version