Ballina Lajmet Kosovë Osmani video-mesazh ndërkombëtarëve: Kosova luftoi për liri, Serbia bëri krime dhe gjenocid

Osmani video-mesazh ndërkombëtarëve: Kosova luftoi për liri, Serbia bëri krime dhe gjenocid

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani përmes një video-mesazhi i është drejtuar miqve ndërkombëtarë, duke i falënderuar për ndihmën e dhënë Kosovës në çdo etapë, si dhe tani kur po ballafaqohemi me pandeminë Covid-19.

Njëkohësisht Osmani ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të ndihmojnë shtetin tonë në kërkimin për të gjetur drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidit serb, si dhe në kërkimin tonë për personat tanë të zhdukur.

Ky është mesazhi i Osmanit për ndërkombëtarët:

Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetë ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekada, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi. Ende sot kemi mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës, ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm. Për këto gra që vazhdojnë të vuajnë në heshtje, unë jam e përkushtuar të bëhem zëri i tyre. Ende sot kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur.

Fotografitë e fëmijëve të tyre të dashur, vëllezërve, motrave dhe prindërve varen në muret e shtëpive të tyre si një mënyrë për t’u kujtuar të afërmeve të tyre që janë ende të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi. Ata kanë të drejtë të dinë vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur. Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13 mijë vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1133 prej të cilëve ishin fëmijë. E përsëris, fëmijë. Krimet e tmerrshme që ndodhën në tokën tonë rezultuan në numrin më të partë të fëmijëve viktima për kokë banori gjatë luftërave të Jugosllavisë.

Historia e Kosovës e luftës është sigurisht tragjike, por historia jonë është gjithashtu një histori e besimit, qëndresës dhe shpresës – dhe mbi të gjitha e luftës për liri. Përsëri njerëzit tanë gjejnë forcën për të luftuar për vlerat dhe të drejtat në të cilat ne thelbësisht besojmë. Si u.d.Presidente, kur historia dhe e vërteta jonë sfidohet, është përgjegjësia ime të sigurohem që të flitet për të me zë të lartë e të qartë e ajo të dëgjohet në të gjithë botën, edhe një herë. Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetje tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidit serb, si dhe në kërkimin tonë për përgjegjës për personat tanë të zhdukur. Ne kemi qenë me fat që t’ju kemi pranë nesh kur na është dashur më së shumti, në luftën tonë për liri dhe pavarësi dhe së bashku e mbyllën me sukses atë kapitull. Por, derisa përballemi me sfidat tona të sotme, ne e dimë se nuk mund t’i kapërcejmë këto vetëm. Suksesi ynë i vazhdueshëm varet nga mbështetja e miqve tanë dhe vullneti dhe durimi i aleatëve për të qëndruar pranë nesh. Sot, gati 13 vjet nga formimi i shtetit tonë, tani është më e rëndësishme se kurrë që të vazhdojmë të përqafojmë dhe të promovojmë vlerat demokratike. Për këtë, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin dhe të forcojmë institucionet tona si dhe perspektivën tonë ekonomike. Projekti i një shteti të pavarur dhe plotësisht funksional të Kosovës nuk është i mirë vetëm për ne, por është një garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Por përveç kuptimit të së kaluarës sonë, ne gjithashtu duam që bota të kuptojë potencialin tonë. Vendi ynë i ri është gjithashtu vendi i të rinjve me 53 për qind të njerëzve tanë të cilët janë nën moshën 25 vjeç.

Exit mobile version