Pa asnjë situatë emergjente, Qeveria shpenzoi mbi 1 milion euro nga rezervat shtetërore

Së fundi Qeveria e Kosovës kishte ndarë nga kategoria e shpenzimeve të rezervave 500 mijë euro për organizimin e 11 vjetorit të pavarësisë, rast ky që nuk hyn në kategorinë e paparashikueshme.
Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti, Qeveria ka marrë vendime për të ndarë mjete nga kjo rezervë në shumën prej 1,097,774 euro.Ministria e Financave ka bërë të ditur për lajmi.net se në Buxhetin e vitit 2019, te nën programi “Shpenzimet e Paparashikuara” në kuadër të kategorisë së shpenzimeve ‘Rezervat’, janë të ndara 4.8 milion euro.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini ka thënë se këto mjete janë të buxhetuara për të adresuar rastet e kërkesave të paparashikueshme, si fatkeqësitë natyrore.

“Këto mjete janë të buxhetuara për të adresuar rastet e kërkesave të paparashikueshme të organizatave buxhetore si fatkeqësitë natyrore ose ndonjë shpenzim tjetër i cili është urgjent dhe nuk ka qenë i parashikueshëm”, ka thënë Shahini.

Për këto veprime Qeveria po kritikohet nga partitë opozitare.44 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dy të Alternativës kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth vendimeve të Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.

Kjo seancë nuk është mbajtur dje në mungesë kuorumi dhe është shtyrë për një ditë të papërcaktuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë sot për lajmi.net se për ndarje të mjeteve nga rezervat duhet të plotësohen kushtet e parapara në ligjin për financat publike.

“Për çdo kërkesë për ndarje të mjeteve nga rezerva duhet marrë vlerësimi i Departamentit të Buxhetit, i cili duhet të jap opinion ligjor nëse janë plotësuar kushtet e parapara ligjore për ndarje të mjeteve nga rezerva”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka shtuar se duhet pasur kujdes gjithmonë në shfrytëzimin e mjeteve nga rezerva, sepse mund të paraqiten situata emergjente gjatë gjithë vitit.Theksojmë se vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 8 milion euro nga kategoria e shpenzimeve të rezervave.