Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistani dhe Afganistani zhvillojnë bisedime në Kinë pas përleshjeve kufitare

Pakistani dhe Afganistani zhvillojnë bisedime në Kinë pas përleshjeve kufitare

Pakistani konfirmoi sot se ka dërguar një delegacion në Kinë për të zhvilluar bisedime me qeverinë afgane, pas disa javësh përleshje kufitare midis dy fqinjëve, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pakistaneze, Tahir Andrabi tha se Islamabadi ka dërguar një delegacion në Urumqi në Kinën veriperëndimore për bisedime me palën afgane, sipas transmetuesit lokal “Geo News”.

Zyrtarë të lartë qeveritarë po përfaqësojnë palën pakistaneze, u tha Andrbai gazetarëve në Islamabad. Transmetuesi raportoi se të dy palët “filluan bisedime diplomatike të nivelit të ulët në Urumqi”.

Takimi në qytetin veriperëndimor kinez të Urumqit vjen pasi ministri i Jashtëm pakistanez Ishaq Dar u takua të martën me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në Pekin.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme afgane, Abdul Qahar Balkhi, një delegacion afgan “i nivelit të mesëm” ka mbërritur në Kinë për të zhvilluar bisedime zyrtare me palën pakistaneze. Bisedimet janë planifikuar me ndërmjetësimin e qeverisë kineze, tha Balkhi, duke shtuar: “Ky proces është me kërkesë të Kinës”.

Kina tha sot se do të “vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis Afganistanit dhe Pakistanit”. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning u tha gazetarëve në Pekin se të dy vendet janë fqinjë të Kinës, duke shtuar se Kina mbështeti të dy vendet në zgjidhjen e dallimeve dhe mosmarrëveshjeve përmes dialogut.

Raundi i fundit i përleshjeve kufitare filloi në fund të shkurtit kur Islamabadi nisi sulme ajrore brenda Afganistanit, pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë Pakistanin nga militantët besnikë të Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), për të cilat Islamabadi akuzoi Kabulin se i strehoi ata dhe nuk ndërmori veprime kundër tyre.

Kabuli mohon akuzat se militantët e TTP-së përdorin tokën afgane kundër Pakistanit. Sipas zyrtarëve nga të dy vendet, dhjetëra civilë, ushtarë dhe militantë janë vrarë në të dy anët e kufirit.

Të dy palët kishin rënë dakord për një armëpushim njëjavor në prag të Bajramit, më 18 mars, pas kërkesave nga Turqia, Arabia Saudite dhe Katari.

Exit mobile version