Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pakistani kryen sulme ajrore në lindje dhe juglindje të Afganistanit

Pakistani kryen sulme ajrore në lindje dhe juglindje të Afganistanit

Avionë luftarakë pakistanezë kryen sulme ajrore në lindje dhe juglindje të Afganistanit herët të dielën, duke shënjestruar atë që Islamabadi i përshkroi si strehë të militantëve, ndërsa zyrtarët afganë thanë se janë vrarë civilë dhe u zotuan për kundërpërgjigje, transmeton Anadolu.

Në platformën amerikane X, Ministria e Informacionit e Pakistanit tha se sulmet ndërkufitare goditën “shtatë kampe dhe strehë terroriste” që u përkisnin talebanëve pakistanezë dhe grupit ISIS-Khorasan.

Ministria tha se ka “dëshmi bindëse” se sulmet e fundit vetëvrasëse, përfshirë një në kryeqytetin Islamabad, janë planifikuar dhe lansuar nga territori i Afghanistanit.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit tha se “një përgjigje e përshtatshme dhe e matur do të ndërmerret në kohën e duhur”, sipas një deklarate të publikuar në X.

Transmetuesi afgan Tolo News raportoi se sulmet ajrore goditën rrethet Khogyani, Ghani Khel dhe Behsud në provincën Nangarhar, si dhe rrethet Barmal dhe Urgun në provincën Paktika. Duke cituar burime lokale, media tha se mes të goditurve kishte edhe civilë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, Enayatullah Khwarazmi, dhe zëdhënësi i qeverisë, Zabihullah Mujahid, thanë se sulmet kanë vrarë dhe plagosur dhjetëra gra dhe fëmijë.

Pakistani ka shënuar rritje të dhunës militante vitet e fundit, e cila kryesisht i atribuohet talebanëve pakistanezë dhe grupeve separatiste baloçe të ndaluara.

Islamabadi akuzon talebanët pakistanezë se veprojnë nga Afganistani, një akuzë që qeveria e udhëhequr nga talebanët në Kabul e ka mohuar vazhdimisht.

Marrëdhëniet mes dy fqinjëve janë të tensionuara që nga përplasjet vdekjeprurëse në tetor. Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Katari kryesisht është respektuar, por bisedimet pasuese në Stamboll nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje formale.

Exit mobile version