Pakistani zotohet për forcimin e lidhjeve me qeverinë talebane në Afganistan

Pakistani ka garantuar qeverinë talebane të Afganistanit se do të forcojë lidhje dypalëshe me Kabulin në të gjitha fushat, përfshirë në fushën e tregtisë dhe ekonomisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit të tij me homologun e tij afgan, Amir Khan Muttaqi, ministri i Punëve të Jashtme i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, tha se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të ndihmuar Afganistanin të zgjidhë krizën humanitare.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit, duke folur për angazhimin e vendit të tij për paqen dhe stabilitetin në Afganistan, Qureshi tha se Pakistani do të vazhdojë me përpjekjet e tij për ndihmë humanitare dhe mbështetje ekonomike në mes të rrethanave të vështira me të cilat po përballet populli afgan.

“Kryediplomati Qureshi ripohoi vendosmërinë e Pakistanit për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe me Afganistanin në të gjitha fushat dhe theksoi se paqja në Afganistan do të ndihmonte në stabilitetin rajonal, si dhe do të nxisë aktivitetin ekonomik dhe lidhjen”, thuhet në njoftim.

Më herët, ministër në detyrë i Afganistanit për Industrinë, Tregtinë dhe Financat, si dhe zv/ministri në detyrë për Aviacion, të cilët ishin pjesë e delegacionit të kryediplomatit Muttaqi, po ashtu zhvilluan takime të përbashkëta me homologët e tyre pakistanez.

Islamabadi po ashtu ofroi ndihmë teknike për fusha të ndryshme për qeverinë e re afgane. Të dyja palët po ashtu u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet për të rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Muttaqi falënderoi Pakistanin për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për angazhimin për paqen dhe stabilitetin e vendit të tij. Ai po ashtu falënderoi këtë vend për strehimin e miliona refugjatëve afganë gjatë dekadave të fundit dhe garantoi për zgjerimin e bashkëpunimit të plotë dhe forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit vëllazëror.

Muttaqi, i cili mbërriti të mërkurën në Islamabad në vizitën e tij të parë së bashku me një delegacion të nivelit të lartë, në margjinat e takimit ‘Troika Plus’ takoi edhe zyrtarë nga Kina, Rusia dhe Pakistani, si dhe përfaqësuesin e posaçëm të SHBA-së për Afganistanin.

Takimi ‘Troika Plus’ u mbajt dje në kryeqytetin Islamabad. /aa