Palestina do ta zhvillojë hetimin për vrasjen e gazetares në mënyrë të pavarur

“Ne kemi konfirmuar se hetimin do ta zhvillojmë në mënyrë të pavarur. Do të informojmë me transparencë të lartë për rezultatet e hetimit familjen e saj, SHBA-në, shtetin e Katarit, të gjitha autoritetet përkatëse zyrtare dhe publikun”

Ministri palestinez i Çështjeve Civile, Hussein al-Sheikh, përgjegjës për marrëdhëniet me Izraelin, njoftoi se vendi i tij ka refuzuar kërkesën për një hetim të përbashkët nga Izraeli në lidhje me vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi konfirmuar se hetimin do ta zhvillojmë në mënyrë të pavarur. Do të informojmë me transparencë të lartë për rezultatet e hetimit familjen e saj, SHBA-në, shtetin e Katarit, të gjitha autoritetet përkatëse zyrtare dhe publikun”, u shpreh ministri Sheikh në llogarinë e tij në Twitter.

Sheikh theksoi gjithashtu se të gjitha indikacionet, provat dhe dëshmitarët konfirmojnë se Abu Akleh “u vra nga forcat speciale izraelite”.

Mediat izraelite dje njoftuan se ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, kërkoi që qeveria palestineze të dorëzonte plumbin me të cilin u vra Shirin Abu Akleh, në mënyrë që t’i nënshtrohej testimit balistik.

Vrasja e gazetares së Al Jazeera-s, Shirin Abu Akleh

Gazetarja me përvojë në terren për televizionin Al Jazeera me bazë në Katar, Shireen Abu Akleh, 51-vjeçare, u vra nga të shtënat e ushtarëve izraelitë dje teksa po ndiqte bastisjen e ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Teksa ishte duke kryer detyrën dhe teksa kishte veshur një jelek prej çeliku me mbishkrimin “Press”, Abu Akleh u qëllua nga ushtarët izraelitë me plumba të vërtetë dhe u plagos në kokë, ku si pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, gazetari Ali es-Sumudi, i cili ishte me të në incidentin ku humbi jetën Abu Akleh, u plagos në shpinë. /aa