Palestina kundërshton etiketimin e Hamasit si organizatë terroriste nga Britania

Autoriteti Palestinez hodhi poshtë masën britanike e cila përcakton grupin e rezistencës palestineze Hamas si organizatë terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Etiketimi është “sulm i pajustifikueshëm ndaj popullit palestinez, i cili i nënshtrohet formave më të tmerrshme të okupimit dhe padrejtësisë historike të vendosur me Deklaratën e Balfour-it”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Deklarata e Balfour-it është një dokument që mban datën 2 nëntor 1917, e cila hodhi themelet për krijimin e Izraelit. Sekretari i Jashtëm i atëhershëm britanik, Arthur Balfour, ra dakord të krijonte një strehë kombëtare për popullin hebre në Palestinë.

Ministria e Jashtme palestineze tha se përcaktimi nga Britania të Hamasit si “terrorist” vendos “pengesa në rrugën e arritjes së paqes dhe pengesa në rrugën e përpjekjeve të vazhdueshme për të konsoliduar armëpushimin dhe rindërtimin e Rripit të Gazës”.

Masa gjithashtu dënohet si “pajtim i Britanisë ndaj presionit izraelit”, duke vënë në dukje se vendimi “vjen një javë pasi kryeministri izraelit Naftali Bennett i kërkoi homologut të tij britanik, në margjinat e samitit të klimës në Glasgow, të miratonte Hamasin si organizatë terroriste”.

Ministria i bëri thirrje qeverisë britanike të ndalojë politikën e saj të “standardeve të dyfishta” dhe “të tërhiqet menjëherë nga ky vendim”.

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel, njoftoi dje se kishte shpallur Hamasin si një organizatë “terroriste”.

Lëvizja, e cila do të prezantohet në parlamentin e Britanisë javën e ardhshme, mund të bëjë që mbështetësit dhe aktivistët e Hamasit të përballen me dënime me burg deri në 14 vjet.

Hamasi, i cili sundon Rripin e Gazës, kritikoi hapin e Britanisë si “agresion i vazhdueshëm” ndaj palestinezëve dhe të drejtave të tyre.

Britania e ka përcaktuar krahun e armatosur të Hamasit, Brigadat Qassam, si një organizatë terroriste në vitin 2001, por nuk e përfshiu byronë politike të grupit në këtë kornizë. /aa