Palestina mohon të ketë pranuar ftesë nga Izraeli për hetime të përbashkëta për vrasjen e gazetares

“Mohojmë deklaratën e kryeministrit të qeverisë izraelite se ata kanë kërkuar nga Autoriteti Palestinez për të kryer hetime për vrasjen e saj”, tha zyrtari i lartë i Autoritetit Palestinez, Hussein Al-Sheikh

Një zyrtar palestinez ka mohuar raportet për marrjen e një kërkese izraelite për nisjen e hetimeve të përbashkëta për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shireen Abu Akleh, 51-vjeç, u qëllua për vdekje teksa mbulonte bastisjen izraelite në qytetin Jenin sot në mëngjes. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, një gazetarë tjetër, Ali Al-Samoudi, u qëllua pas shpine.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, sot më herët deklaroi se Autoriteti Palestinez ka refuzuar të kryejë hetime të përbashkëta për vrasjen e Abu Akleh.

“Mohojmë deklaratën e kryeministrit të qeverisë izraelite se ata kanë kërkuar nga Autoriteti Palestinez për të kryer hetime për vrasjen e saj”, shkroi në Twitter zyrtari i lartë i Autoritetit Palestinez, Hussein Al-Sheikh.

“Ne konfirmojmë se Autoriteti Palestinez do ta çojë këtë dosje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare”, shtoi ai.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dënoi më parë vrasjen e Abu Akleh, duke thënë se ishte një “vrasje” nga forcat izraelite, duke konsideruar Izraelin plotësisht përgjegjëse për vdekjen e saj.

Sot, kanali Al Jazeera me bazë në Doha akuzoi forcat izraelite për vrasje të qëllimshme të gazetares së tyre “me gjakftohtësi”.

Shireen Abu Akleh ka lindur në Kuds në vitin 1971 dhe ishte diplomuar për degën Gazetari dhe Media në Universitetin Yarmouk në Jordani. /aa