Palestinezët kërkojnë që trupat e vdekur në burgjet izraelite t’u dorëzohen familjeve

Në Rripin e bllokuar të Gazës, palestinezët zhvilluan një demonstratë duke kërkuar që trupat e personave të vdekur në burgjet izraelite t’u dorëzohen familjeve të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me thirrjen e Komitetit të të Burgosurve të Forcave Kombëtare dhe Islamike dhe organizatave të lidhura me të burgosurit palestinezë, shumë njerëz u mblodhën para ndërtesës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gaza.

Demonstruesit mbanin pankarta ku thuhej se ata donin që trupat e të burgosurve palestinezë të arrestuar nga Izraeli t’u ktheheshin familjeve të tyre.

“Fshehja e trupave është krim”

Një nga udhëheqësit e Lëvizjes së Xhihadit Islam, Khalid al-Batsh, në fjalimin e tij tha: “Fshehja e trupave është krim dhe nuk ka asnjë në botë që e praktikon këtë përveç sionistëve”.

Duke theksuar se ata po bërtasin këtu përsëri kundër këtij krimi që ka vazhduar për dekada, Batsh tha: “Ne dënojmë fshehjen e vazhdueshme të trupave nga Izraeli për të mos lejuar që familjet të varrosin dhe vizitojnë të afërmit e tyre të vdekur në përputhje me ligjin islam”.

Sipas të dhënave të Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Izraeli prej kohësh mban në burgjet e veta trupat e nëntë palestinezëve që kanë humbur jetën. /aa