Në Khan Younis, mes rrënojave të shkaktuara nga sulmet izraelite, 54 çifte palestineze u martuan të martën në një ceremoni masive, duke sjellë një moment të rrallë gëzimi pas dy vitesh lufte shkatërruese.
Eman Hassan Lawwa dhe Hikmat Lawwa, të veshur me motivet tradicionale palestineze, ishin ndër çiftet që ecur dorë për dore mes ndërtesave të shembura. “Pavarësisht gjithçkaje që kemi kaluar, do të fillojmë një jetë të re,” tha Emani. “Me vullnetin e Zotit, kjo do të jetë fundi i luftës.”
Dasmat, një traditë thelbësore e kulturës palestineze, janë bërë tepër të rralla gjatë masakrave në Gaza. Megjithatë, armëpushimi i brishtë ka lejuar rikthimin e disa prej tyre, edhe pse në forma shumë më të thjeshta se dikur.
Shumica e banorëve të Gazës – përfshirë çiftin Lawwa – janë të zhvendosur, qytetet janë shkatërruar dhe mungesa e ndihmave vazhdon të rëndojë jetën e përditshme. “Dikur ëndërroja një shtëpi e një punë. Sot, ëndrra ime është të gjej një tendë ku të jetoj,” tha Hikmati.
Ceremonia u financua nga fondacioni “Al Fares Al Shahim”, i cili u dha çifteve edhe një shumë simbolike parash dhe ndihma të tjera për të nisur jetën së bashku.
Për palestinezët, dasmat janë zakonisht ceremoni të gjata, të mbushura me valle, procesione dhe ushqime të bollshme — elemente që janë bërë të pamundura në Gaza, por që njerëzit shpresojnë t’i rikthejnë një ditë. /mesazhi
