Papa konfirmon mbështetjen për zgjidhjen dyshtetërore të konfliktit Izrael-Palestinë

Papa Françesku konfirmoi mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nevoja për bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme, si dhe qëllimi i një zgjidhjeje dyshtetërore në Tokën e Shenjtë u diskutua gjatë një takimi mes presidentit palestinez Mahmud Abbas dhe liderit shpirtëror të botës katolike, tha agjencia zyrtare e lajmeve e Vatikanit.

Abbas dhe Papa ranë dakord se është e nevojshme të riaktivizohen bisedimet e drejtpërdrejta midis Palestinës dhe Izraelit për të arritur një zgjidhje me dy shtete, me ndihmën e përpjekjeve më energjike nga komuniteti ndërkombëtar.

Ata vunë në dukje gjithashtu se “Kudsi duhet të njihet nga të gjithë si një vend bashkimi dhe jo konflikti, dhe se statusi i tij duhet të ruajë identitetin dhe vlerën e tij universale si një qytet i shenjtë për të tri fetë abrahamike, gjithashtu përmes një statusi të veçantë të garantuar ndërkombëtarisht”.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, një hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për muslimanët.

Të dy udhëheqësit folën më pas për “urgjencën e punës për paqen, shmangien e përdorimit të armëve dhe luftimin e të gjitha formave të ekstremizmit dhe fundamentalizmit”, sipas Vatican News. /aa