Papa shpreh pikëllim por nuk kërkon falje për kufomat e 215 fëmijëve të zbuluar në një ish-shkollë katolike

Papa Françesku shprehu pikëllim për kufomat e 215 fëmijëve që u zbuluan javën e kaluar në varre të pashënuara në një-ish shkollë katolike për nxënës autoktonë në Kanada, por nuk kërkoi falje për rolin e kishës në sistemin e shkollës rezidenciale të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e Papës u bënë gjatë fjalimit për pelegrinët dhe turistët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për bekimin javor.

“Unë po ndjek me dhimbje lajmet që vijnë nga Kanadaja për zbulimin shqetësues të eshtrave të 215 fëmijëve”, tha ai.

“U bashkohem peshkopëve kanadezë dhe Kishës Katolike në Kanada për të shprehur afërsinë time me njerëzit kanadezë të traumatizuar nga lajmet tronditëse. Ky zbulim i trishtuar shton vetëdijen për hidhërimet dhe vuajtjet e së kaluarës”, shtoi Papa Françesku.

Të premten, kryeministri kanadez Justin Trudeau u bëri thirrje katolikëve kanadezë që të kërkojnë nga Kisha Katolike kërkimfalje për rolin e saj në sistemin shkollor rezidencial të Kanadasë dhe t’i bëjë publike të dhënat e shkollës.

Trudeau nxiti veprimin pas zbulimit të kufomave të fëmijëve në ish-Shkollën Rezidenciale Indiane Kamloops. Kisha drejtoi shkollën nga viti 1890 deri në vitin 1969, kur qeveria federale mori administrimin e saj dhe e operoi atë si një rezidencë shkollore ditore deri në mbylljen e saj në vitin 1978. Ajo ishte një nga 139 shkollat e tilla në Kanada.

Rreth 150.000 fëmijë autoktonë u morën nga familjet e tyre dhe u detyruan të futen në shkollat me konvikt duke filluar në vitet 1820. Një numër i konsiderueshëm i tyre pësoi abuzim fizik, psikologjik dhe seksual. Vlerësohet se të paktën 4.000 fëmijë vdiqën dhe shumë prej tyre janë në varre të pashënuara.

Por duart e qeverisë kanadeze nuk janë plotësisht të pastra kur bëhet fjalë për shkollat rezidenciale. Sipas njoftimit të CTV News, vlerësohet se midis viteve 1936 dhe 1944 qeveria shkatërroi rreth 15 tonë dokumente në lidhje me shkollat, duke përfshirë rreth 200.000 dosje të Çështjeve Indiane.

Kisha të tjera kanë kërkuar falje për drejtimin e disa shkollave, duke përfshirë Kishën e Bashkuar të Kanadasë, Kishën Presbiteriane dhe Kishën Anglikane të Kanadasë. /aa