Para samitit Biden-Jinping, SHBA-ja shpreh shqetësime për Tajvanin

Shtetet e Bashkuara (SHBA) edhe njëherë kanë shprehur shqetësime për “presionin e vazhdueshëm ushtarak, diplomatik dhe ekonomik të Kinës kundër Tajvanit” disa ditë përpara samitit virtual të presidentit amerikan, Joe Biden me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha në një deklaratë më 13 nëntor se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken foli një ditë më parë me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi.

“Sekretari ka diskutuar në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm virtual të presidentit Biden me presidentin Xi Jinping. Ai ka vënë në dukje se takimi paraqet një mundësi për të dy liderët që të diskutojnë për menaxhimin me përgjegjësi të konkurrencën midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës derisa të dyja vendet punojnë së bashku në fushat ku interesat përputhen”, tha Price.
Ai shtoi se Blinken i ka shprehur ministrit kinez shqetësimin sa i takon presionit të vazhdueshëm ushtarak kinez ndaj Tajvanit duke theksuar interesin afatgjatë të SHBA-së për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Shtetet e Bashkuara përmes Sekretarit Blinken i kanë kërkuar Kinës që të angazhohet në dialog thelbësor për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore “në përputhje me dëshirat dhe interesat më të mira të njerëzve në Tajvan”.

Perëndimi ka shprehur shqetësimin për aktivitetet e fundit ushtarake dhe fushatat dezinformuese kundër Tajvanit.

Tajvani është një rajon demokratik dhe thotë se është i pavarur, por Kina e sheh si një provincë të shkëputur.

Në vitet e fundit Pekini ka intensifikuar përpjekjet për ta izoluar atë në skenën ndërkombëtare.

Aeroplanët ushtarakë kinezë disa herë gjatë muajve të fundit kanë hyrë në zonën mbrojtëse ajrore të Tajvanit.

Shtetet e Bashkuara kanë raporte të ngushta me Tajvanin dhe kanë thënë se do të angazhohen për t’i siguruar mbrojtje.

Biseda mes Biden dhe Jinping është planifikuar më 15 nëntor.