Ballina Lajmet Kosovë Paraburgim për katër persona në rastin e dyshuar të keqpërdorimeve në Byronë...

Paraburgim për katër persona në rastin e dyshuar të keqpërdorimeve në Byronë Kosovare të Sigurimeve

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar të shtunën masën e paraburgimit prej një muaji për katër persona nga gjithsej 39 të arrestuar, në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorime financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka urdhëruar që ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, si dhe të dyshuarit me inicialet F.S. dhe Y.Ç., të mbahen në paraburgim deri më 8 shkurt.

Gjykata thekson se ekziston dyshim i bazuar se të pandehurit kanë kryer disa vepra penale të natyrës ekonomike, përfshirë keqpërdorimin e besimit, keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike dhe falsifikimin e dokumenteve.

Sipas vendimit, Sami Mazreku dhe Valon Berisha dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të besimit në vazhdimësi dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike, ndërsa ndaj Berishës rëndon edhe dyshimi për falsifikim dokumentesh në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.

I dyshuari F.S. akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim të besimit, ndërsa Y.Ç. dyshohet për keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.

Ndërkohë, 35 të dyshuarit e tjerë po hetohen për veprën penale të keqpërdorimit të besimit në ndihmë. Për ta, Gjykata ka vendosur masa alternative, përfshirë obligimin për paraqitje të rregullt një herë në javë në stacionin policor sipas vendbanimit, si dhe ndalimin e afrimit në ambientet e Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ndaj personave të caktuar, deri më 8 shkurt.

Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e masës së paraburgimit.

Exit mobile version