Paralajmërohet thellim i krizës me rrymë, ministrja s’garanton se s’do të ketë shtrenjtim

Gjatë raportimit për krizën energjetike, në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se një njësi e Termocentralit “Kosova B” është nxjerrë nga prodhimi dhe siç theksoi ajo për 36 orët e ardhshme kjo njësi do jetë jashtë funksionit duke paralajmëruar thellim të krizës me rrymë në Kosovë.

Gjatë raportimit, Rizvanolli theksoi se gjendja me energji elektrike në vend është e jashtëzakonshme.

Kjo situatë, sipas saj, po ndodh për shkak të çmimit të lartë të energjisë së importuar. Ajo s’ka garantuar se s’do të ketë ngritje çmimi.

“Ne si qeveri do të bëjmë të pamundurën që mos të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, por që s’mundemi të garantojmë një gjë të tillë”, ka deklaruar ajo, raporton KP.

Ndërsa, për pagesat e rrymës në veri dhe për mundësinë e krijimit të infrastrukturës për faturim në atë pjesë, ministrja Rizvanolli ka kërkuar të raportojë në Komision pa praninë e mediave.

Derisa kur u pyet nga deputetët e opozitës për rritjen e pagave në sektorin e publik dhe privat, Rizvanolli tha se rritja e pagave në sektorin publik është e pakuptimtë.