Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Parlamenti i Danimarkës javën e ardhshme do të vendosë nëse do ta...

Parlamenti i Danimarkës javën e ardhshme do të vendosë nëse do ta njohë Palestinën

Pas vendimit të Norvegjisë, Irlandës dhe Spanjës për të njohur Palestinën si shtet, parlamenti danez të martën e ardhshme do të votojë mbi një propozim që bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, transmeton Anadolu.

Sipas Korporatës Daneze të Transmetimeve, Trine Pertou Mach, zëdhënësi i punëve të jashtme për Aleancën Kuq-Gjelbër të opozitës tha: “Partitë qeveritare do të kenë shans për të votuar për këtë kur të votojmë javën e ardhshme. Dëshiroj t’i bëj thirrje qeverisë të ndryshojë qëndrimin e saj dhe të ndjekë Norvegjinë dhe vendet e tjera evropiane”.

Propozimi është bërë nga Aleanca Kuq-Gjelbër, Social Liberalët, Alternativa dhe Partia Popullore Socialiste.

Qeveria daneze e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk do ta mbështesë rezolutën, siç tha ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen: “Për të qenë shtet, duhet të kesh një territor mbi të cilin ke kontroll dhe disa autoritete që mund ta kontrollojnë atë. Dhe kjo nuk është saktësisht situata tani”.

“Tani për tani, ne kemi një Hamas në Gaza që nuk dëshiron zgjidhje me dy shtete. Ne kemi një qeveri në Izrael që nuk duket se preferon zgjidhje me dy shtete”, shtoi Rasmussen.

Duke reaguar ndaj zhvillimeve, zëdhënësja e Aleancës Kuq-Gjelbër tha se e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është rruga politike. “Kjo fillon me njohjen e Palestinës si shtet të pavarur, në mënyrë që të dyja palët të jenë më të barabarta në negociatat që do të vijnë”, tha Mach.

Teksa qeveria ka njoftuar se nuk do ta mbështesë propozimin, është praktikisht e qartë se nuk ka shumicë të dukshme në parlamentin danez që është në favor të propozimit.

Norvegjia, Irlanda dhe Spanja njoftuan të mërkurën se do ta njohin Palestinën si shtet, vendim që do të hyjë në fuqi më 28 maj.

Njoftimet nga tre vendet evropiane vijnë pasi Izraeli vazhdoi ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar.

Palestina është njohur tashmë nga tetë vende evropiane: Bullgaria, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Suedia dhe administrata e Qipros Greke.

Exit mobile version