Partia tuniziane thotë se nuk do të pranojë marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë

Një nga partitë kryesore politike të Tunizisë, Partia e Lirë Kushtetuese, tha të dielën se nuk do të njihte asnjë marrëveshje që Tunizia bën me huadhënësit ndërkombëtarë në këmbim të reformave jopopullore, kërcënimi i fundit për një marrëveshje të mundshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Drejtori i Lindjes së Mesme në FMN, Jihad Azour, do të vizitojë Tunizinë të hënën dhe do të takohet me presidentin Kais Saied, në një tregues se negociatat zyrtare mund të fillojnë së shpejti për një paketë shpëtimi.

Tunizia, e cila përballet me një krizë financiare, po kërkon një marrëveshje për një hua prej 4 miliardë dollarësh nga FMN-ja në këmbim të një pakete reformash jopopullore për të mbështetur financat e saj publike në vështirësi, shkruan Reuters.

Paketa e reformës së qeverisë përfshinte një ngrirje pagash dhe shkurtime në subvencionet e ushqimit dhe energjisë.

Partia e cila sipas sondazheve do të fitojë me një diferencë të madhe ndaj rivalëve në çdo zgjedhje parlamentare, iu bashkua unionit UGTT në refuzimin e reformave ekonominë të kërkuara nga FMN-ja.

Sindikata e fuqishme UGTT, me një milion anëtarë, hyri në grevë të enjten dhe bllokoi pjesën më të madhe të Tunizisë, për shkak të planeve të reformës ekonomike të qeverisë, duke rritur presionin ndaj presidentit, Kais Saied.

“Ne nuk do të njohim asnjë zotim financiar apo hua ndërmjet qeverisë dhe institucioneve donatore ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të partisë.

Partia udhëhiqet nga Abir Moussi, një mbështetës i presidentit autokrat Zine El Abidine Ben Ali, i cili u rrëzua nga protestat masive në revolucionin e vitit 2011. /koha