Ballina Uncategorized Pas dhjetë ditësh sulme, Izraeli pajtohet për armëpushim me Hamasin

Pas dhjetë ditësh sulme, Izraeli pajtohet për armëpushim me Hamasin

Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim me grupet e rezistencës palestineze në Gaza, konfirmuan mediat izraelite dhe zyrtarët e Hamasit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Hamasit dhe burimeve izraelite, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti do të hyjë në fuqi që nga ora 2:00 e mëngjesit të së premtes.

“Izraeli nuk ia doli të arrijë asnjë qëllim të agresionit të tij dhe iku nga beteja me rezistencën palestineze”, tha zëdhënësi i Hamasit Sami Abu Zuhri për AA në një reagim të parë zyrtar në lidhje me armëpushimin.

Për më shumë se dhjetë ditë, Izraeli ka kryer sulme në Rripin e bllokuar të Gazës.

Të paktën 232 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, dhe mbi 1.700 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji, sipas Ministrisë së Shëndetësisë me bazë në Gaza. Gjatë sulmeve janë shënjestruar qendra shëndetësore, zyra mediatike dhe lagje të banuara.

Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj adhuruesve në Xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Në vitin 1980, ai aneksoi gjithë qytetin, hap ky që nuk është njohur kurrë nga bashkësia ndërkombëtare. /aa

Exit mobile version