Pas më shumë se dy dekadave, serbët më veri do të paguajnë rrymën e shpenzuar

Në Bruksel sot është duke u zhvilluar takimi i radhës në kuadër të dialogut teknik, Kosovë-Serbi.

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe përfaqësuesi i palës serbe, Petar Petkoviq kanë zhvilluar takim nën drejtimin e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas këtij takimi, Lajçak ka njoftuar se është arritur marrëveshja për energjinë.

“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është hap i madh përpara”, ka thënë Lajçak.

Në kuadër të kësaj marrëveshje janë nëntë pika gjithsej, ku ndër të tjerash është bërë e ditur se do të faturohet edhe shpenzimi i energjisë elektrike për serbët në veri.

“Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimn e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013.”, thuhet në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe për më shumë se dy dekada serbët e komunave: Mitrovicë e Verit, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë rrymën e shpenzuar.

Ditë më parë, zv/kryeministri i Kosovës, njëherësh shef i delegacionit të Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, deklaroi se kjo çështje do të rregullohet duke respektuar marrëveshjen e arritur në muajin prill të vitit 2013./

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.

Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.