Pas tetë vitesh pritjeje – Prishtina rikthen trofeun e Superligës së Kosovës në kryeqytet

Prishtina është shpallur edhe zyrtarisht kampion i Superligës së Kosovës pas më shumë se tetë vitesh pritjeje.

Bardhekaltrit triumfuan 2-1 në udhëtim te Gjilani në kuadër të javës së 35-të në elitën e futbollit kosovar.

Pas vetëm 15 minutash lojë, skuadra që drejtohet nga Zekirija Ramadani kaloi në epërsi me anë të Gledi Micit.

Kjo nuk ishte e tëra, pasi mysafirët shënuan edhe të dytin me anë të Qëndrim Zybës (40’), duke shkuar të qetë në pushimin e pjesës së parë.

45 minutat e dytë ishin me një intensitet më të lartë, mirëpo u shënua edhe një gol tjetër.

Gjilani filloi me disa sulme të bukura në drejtim të portës së Prishtinës dhe ia dolën të shënonin një herë.

Ishte minuta e 53-të, kur Arbër Çyrbja shënoi për 2-1, mirëpo ky gol nuk u mjaftoi që të ndalnin Prishtinën që të shpallej kampion.