Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Peleshi: Shqipëria po fiton një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe...

Peleshi: Shqipëria po fiton një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka deklaruar se Shqipëria po fiton një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes, raporton Anadolu.

Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po zhvillohet sot Samiti i katërt i Diasporës Shqiptare me disa panele, ndërkohë mbajtën një fjalë përshëndetëse edhe kryeparlamentari Peleshi dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

– Peleshi: Shqipëria po fiton një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes, e vendosur në anën e drejtë të historisë

Kryeparlamentari Peleshi theksoi se Samiti i Diasporës është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“Të flasim në Tiranë për lartësimin e shqiptarëve bën kuptim më shumë se asnjëherë më parë. Sot që Shqipëria ndodhet në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), familjen prej nga kemi rrënjët dhe prej nga buron identiteti ynë kombëtar”, u shpreh Peleshi.

Ai u shpreh se sot që shqiptarët, në vendet e origjinës dhe diaspora shqiptare në vendet pritëse dhe globalisht, janë afirmuar si kontribues të shoqërisë demokratike, të institucioneve dhe vlerave të saj.

“Shqipëria, vendi amë, po fiton sot një prestigj ndërkombëtar si promovuese e sigurisë dhe paqes, e vendosur në anën e drejtë të historisë. Sot që shqiptarët në rajon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës janë pa dilema në krahun e evropianizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, promotorë të stabilitetit, sigurisë dhe paqes”, tha ndër të tjera Peleshi.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të pranishëm nga diaspora shqiptare, Peleshi tha: “Të mbështesim intensivisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Të përsërisim në çdo takim, në çdo mjedis evropian dhe botëror domosdoshmërinë e njohjes së plotë të Kosovës, anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe integrimit të saj në NATO e BE, të flasim pa u lodhur dhe me kokën lart për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e Malin e Zi”.

– Gashi: Problemi i cili mund të nënvizohet si më i madhi është kjo shpërngulje e njerëzve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalën e tij u shpreh se falënderon shtetin shqiptar për organizimin e Samitit të Diasporës.

“Mendoj se është shumë mirë që po takohemi në një samit të tillë. Në diskutimet tona të apelojmë për gjendjen ku janë sot gjeografitë tona, shtetet tona. Problemi i cili mund të nënvizohet si më i madhi sipas meje është natyrisht kjo shpërngulje e njerëzve. Mbi të gjitha viteve të fundit ajo që e karakterizon edhe më shumë shpërnguljen është ikja e të rinjve dhe kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe për shoqëritë tona dhe shtetet tona”, tha Gashi.

Gashi theksoi se nëse duan ta bëjnë rilidhjen me të larguarit, sipas tij e para që është e domosdoshme duhet të fokusohen në ndërtimin e politikave të cilat do ta ndalojnë këtë “gjakderdhje demografike”.

Samiti i Diasporës Shqiptare që do të mbahet deri më 15 prill organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas organizatorëve, ky samit është një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve kudo në botë. Gjithashtu theksohet se samiti përbën mundësi për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri.

Exit mobile version