Për herë të parë që nga gushti, Portugalia nuk raporton asnjë viktimë nga Covid në 24 orë

Portugalia nuk ka raportuar asnjë viktimë në 24 orë për herë të parë që nga gushti, sipas autoriteteve. Numri i viktimave deri më tani është 16,965. Megjithatë, numri i rasteve të konfirmuara u rrit me 196 duke çuar numrin e përgjithshëm në 834,638.

Portugalia vendosi masa të ashpra që në fillim të pandemisë duke mbajtur në kontroll përhapjen e virusit në krahasim me Spanjën. Në fund të majit 2020, Portugalia kishte regjistruar 1,300 viktima, krahasuar me 28,600 në Spanjë.

Por vendi nuk arriti të mbante nën kontroll valën e dytë të pandemisë. Tani, vdekshmëria për shkak të COVID në Portugali është e barabartë me Spanjën, përkatësisht në 165.2 dhe 164.8 viktima për 100,000 banorë, sipas Universitetit Johns Hopkins .

Qeveria rivendosi masa të ashpra në janar dhe filloi të lehtësonte kufizimet përsëri në fillim të këtij muaji. Vendi rihapi disa biznese jo-thelbësore, përfshirë palestrat, të cilat u rihapën nën kushte të rrepta sanitare. Kafenetë dhe restorantet gjithashtu u rihapën, por me një maksimum prej katër personash.

Sidoqoftë, udhëtimet janë pezulluar dhe lejohen vetëm udhëtimet për arsye thelbësore. Karantina është gjithashtu e detyrueshme për personat që vijnë nga vendet anëtare ku shkalla e incidencës është më e madhe se 500 raste për 100,000 banorë.

Portugalia aktualisht ka shkallën më të ulët të incidencës së bllokut, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve , me 75.05 raste për 100,000 banorë. Është i vetmi komb,incidenca e të cilit është më e ulët se 100 raste për 100,000 banorë. /abcnews