Ballina Artikuj Për të dhënë një përgjigje fetare, nuk mjafton njohja e fesë; duhet...

Për të dhënë një përgjigje fetare, nuk mjafton njohja e fesë; duhet njohur edhe realiteti.

Hoxhë Halil Avdulli

Ajo që është më e mira për njerëzit, qofshin individë apo shoqëri, myslimanë apo jomyslimanë, përcaktohet përmes tri rrugëve:

1. Rruga e arsyes.
Ka çështje që përcaktohen vetëm nga arsyeja njerëzore, duke u mbështetur në parimet e saj të vetëkuptueshme, në njohuritë dhe përvojën e fituar, si dhe në pjekurinë dhe vetëdijen e njeriut.

2. Rruga e shpalljes hyjnore.
Ka çështje ku arsyeja nuk ka kompetencë të vendosë në mënyrë të pavarur, sepse ato i përkasin vetëm shpalljes. Në këto raste, gjykimi i kthehet Allahut dhe njeriu, sado i ditur apo me përvojë të jetë, nuk ka të drejtë të përcaktojë vetë se çfarë është më e mira. Parimi themelor këtu është ndalimi në kufijtë e shpalljes dhe mosparakalimi i saj.

3. Rruga e përbashkët e shpalljes dhe arsyes.
Ka edhe fusha ku bashkëpunojnë shpallja dhe arsyeja. Shpallja ofron referencën gjithëpërfshirëse, sistemin dhe parimet udhëzuese, ndërsa arsyeja, përmes njohjes së realitetit dhe përvojës konkrete, përcakton mënyrën më të përshtatshme të zbatimit të tyre. Pikërisht këtë ka shpjeguar Ibn Kajjimi kur flet për muxhtehidin, myftiun dhe gjykatësin: ata duhet të njohin thellësisht Sheriatin dhe njëkohësisht realitetin, në mënyrë që të dinë ta zbatojnë drejt ligjin hyjnor në rrethanat konkrete.

Historia e Musait (a.s.) me Hidrin e përmbledh qartë këtë dallim. Musai ishte i ditur në ligjin hyjnor, ndërsa Hidri, përveç njohjes së tij, kishte edhe dijeni të veçantë për realitetin dhe urtësinë që fshihej pas ngjarjeve. Prandaj ai vepronte duke harmonizuar shpalljen me realitetin, ndërsa Musai e kundërshtonte nga këndvështrimi i njohjes së ligjit, pa qenë në dijeni të asaj që fshihej pas ngjarjeve.

Edhe Ibn Tejmije ka theksuar se burimi i dijes është një nga këto tre: ose shpallja, ose arsyeja, ose bashkëveprimi i shpalljes dhe arsyes. Në përputhje me këtë, edhe përcaktimi i asaj që është më e mira kalon përmes tri rrugëve: rrugës së arsyes, rrugës së shpalljes dhe rrugës së harmonizimit ndërmjet shpalljes dhe arsyes.

Hoxhë Halil Avdulli