Përdorimi i energjisë bërthamore, kreu i ANEA-s: Është energji e pastër, nuk ka asnjë rrezik

Rafael Mariano Grossi

A është energjia bërthamore energji e pastër? Kjo është pyetja me të cilën përballet BE këtë vit. Me Francën dhe Poloninë që po lobojnë për një të ardhme bërthamore, por me të tjerët si Gjermania, Belgjika, Luksemburgu dhe Austria që po bëjnë të kundërtën, Evropa rrezikon përplasjen.

Për Rafael Mariano Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, energjia në fjalë është e gjelbër dhe duhet përcaktuar si e tillë.

“Evropës i duhet energjia atomike. Ne po e shohim këtë dhe njerëzit po e pranojnë se janë shkenca dhe zgjedhjet e duhura ato që duhet të dominojnë kur duhet të vendosim se çfarë burimesh energjie duhet të përdorim dhe jo ideologjia. Ndaj nuk shoh përplasje”, tha Grossi.
Por sipas një raporti të ri të publikuar në Belgjikë, energjia bërthamore, në gjendjen aktuale, nuk përmbush parimet mjedisore, etike dhe shëndetësore.

Por realiteti është më kompleks, sidomos sa i takon jetëgjatësisë së mbetjeve radioaktive, që ka gjasa të ndikojë në disa gjenerata.

“Me gjithë respektin për raportin, ai përmban një sërë elementësh që meritojnë një analizë të veçantë. Për shembull, kur flasim për mbetjet bërthamore. Por këto mbetje janë trajtuar gjithmonë në mënyrën e duhur dhe me to nuk ka pasur kurrë asnjë aksident”, shton drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Një tjetër çështje në radarin e Rafael Grossi-t është gatishmëria e Iranit për t’u kthyer në bisedimet e Vjenës brenda muajit. Por a ka kontaktuar ai me presidentin e ri Ebrahim Raisi?

Sinkron Rafael Mariano Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike:

“Për fat të keq jo. Ende jo. Nuk kemi pasur shansin të nisim dialogun e nevojshëm politik, pasi krahas aspekteve teknike që lidhen me inspektimet është edhe çështja e besimit”, thotë ai.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike shpreson se Irani do t’i lejojë inspektimet në një të ardhme të afërt. /euronews