Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë rindezur në një zonë kufitare të kontestuar, duke tronditur armëpushimin e brishtë të arritur muaj më parë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, dy civilë kamboxhianë u vranë gjatë natës kur ushtria tajlandeze bombardoi provincën kufitare Banteay Meanchey. Në total, Kamboxhia raporton 7 të vrarë dhe 20 të plagosur që nga shpërthimi i luftimeve të dielën.
Ushtria tajlandeze njoftoi se dy ushtarë të tjerë të saj janë vrarë, duke e çuar në tre numrin e ushtarëve të vrarë prej së dielës. Tajlanda akuzoi gjithashtu Kamboxhian për bombardimin e dy shtëpive civile në provincën Sa Kaeo, pa shkaktuar viktima.
Kamboxhia deklaroi se Tajlanda nisi sulme të reja kufitare rreth orës 05:00, përfshirë zonën pranë tempullit Preah Vihear, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe tempuj të tjerë të lashtë.
Përleshjet e fundit përbëjnë përshkallëzimin më të ri të një konflikti të gjatë kufitar, i cili në korrik çoi në pesë ditë luftime ku u vranë 48 persona. Autoritetet të dy vendeve akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit. /mesazhi








