Përmbytjet “fundosin” qytetin amerikan

Forcat e zjarrit dhe të akullit i dhanë formë Parkut Kombëtar Yellowstone gjatë mijëra vjetëve. U deshën dekada më shumë që njerëzit ta zbusnin atë aq sa turistët ta vizitonin, shpesh nga komoditeti i makinave të tyre.

Brenda vetëm disa ditësh, shiu i dendur dhe shkrirja e shpejtë e borës kanë shkaktuar përmbytje dramatike që mund të ndryshojnë përgjithmonë gjurmët njerëzore në terrenin e parkut dhe komunitetet që janë rritur përreth tij.

Vërshime historike

Përmbytjet historike që kanë shpërthyer nëpër Yellowstone këtë javë, duke shkatërruar ura e duke i përfshirë shtëpitë aty pranë, nxorën një lumë popullor peshkimi jashtë shtratit – ndoshta përgjithmonë – dhe mund t’i detyrojnë rrugët, pothuajse të këputura nga përrenjtë, të rindërtohen në vende të reja.

“Në kuptimin e plotë të fjalës, peizazhi ka ndryshuar në mënyrë dramatike në 36 orët e fundit”, ka theksuar Bill Berg, komisioner në Park County aty pranë. “Pak ironike që ky peizazh spektakolar u krijua nga një ngjarje e dhunshme gjeologjike dhe hidrologjike, e nuk është aspak e dobishme kur ndodh derisa ne jemi të gjithë këtu”.

Përmbytjet e papritura nxorën më shumë se 10 mijë vizitorë nga parku më i vjetër kombëtar i vendit dhe dëmtuan qindra shtëpi në komunitetet e afërta, megjithëse në mënyrë të jashtëzakonshme nuk u raportua për të lënduar a të vdekur.

Parku mund të qëndrojë i mbyllur për një javë, dhe hyrjet veriore mund të mos rihapen këtë verë, ka njoftuar mbikëqyrësi Cam Sholly.

“Kam dëgjuar se kjo është ngjarje një mijëvjeçare, ama duket sikur tash po ndodhin gjithnjë e më shpesh”, ka thënë ai.

Sholly vuri në dukje se disa parashikime të motit përfshijnë mundësinë e përmbytjeve shtesë këtë fundjavë.

Ditët e shiut dhe shkrirja e shpejtë e borës kanë bërë kërdi në pjesë të Montanës Jugore dhe të Wyomingut Verior, ku shkatërroi kabina, përmbyti qytete të vogla dhe ndërpreu energjinë elektrike. Përmbytja goditi parkun pasi sezoni turistik veror që ka tërhequr miliona vizitorë po rritej në 150-vjetorin e tij.

Goditje e rëndë ekonomike

Bizneset në Gardiner, të goditura rëndë, sapo kishin filluar të rikuperoheshin vërtet nga tkurrja e turizmit e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe shpresonin për një vit të mbarë.

“Yellowstone jeton dhe vdes nga turizmi, dhe kjo do të jetë goditje mjaft e madhe për të”, ka thënë ai. “Po mundohen të gjejnë rrugë për t’ia dalë disi”.

Disa nga dëmtimet më të mëdha ndodhën në pjesën veriore të parkut dhe në komunitetet e portës së Yellowstone, në Montanën Jugore. Fotot e shërbimit të Parkut Kombëtar të Yellowstonetit Verior treguan një rrëshqitje balte, ura të prishura dhe rrugë të dëmtuara nga përmbytjet e lumenjve Gardner dhe Lamar.

Banorët e kanë përshkruar skenën rrëqethëse ku uji u shndërrua nga rrjedha e vogël në një përrua për vetëm disa orë.

Uji rrëzoi shtyllat e telefonit, rrëzoi gardhe e gdhendi çarje të thella në tokë nëpër një lagje me qindra shtëpi. Energjia elektrike u rikthye të martën, por ende nuk kishte ujë të pijshëm në lagjen e prekur.

Heidi Hoffman u largua herët të hënën për të blerë një pompë në Billings, por në kohën kur u kthye, bodrumi i shtëpisë ishte plot me ujë.

“Humbëm të gjitha gjërat tona në bodrum”, ka theksuar Hoffman teksa pompa vazhdonte ta largonte rrjedhën e vazhdueshme të ujit në oborrin e mbuluar me baltë. “Fotografi, veshje, mobile, gjithçka”.

Të paktën 200 shtëpi u përmbytën në Red Lodge dhe në qytetin e Frombergut.

Përmbytjet erdhën pasi Perëndimi i Mesëm dhe Bregu Lindor po përvëloheshin nga vala e të nxehtit dhe pjesë të tjera të Perëndimit, që u dogjën nga sezoni i hershëm i zjarreve në mes të një thatësire të vazhdueshme që ka rritur shpeshtësinë dhe intensitetin e zjarreve. Tymi nga zjarri në malet e Flagstaffit, Arizona, mund të shihet edhe në Kolorado.

Ndikimi klimatik

Gjersa përmbytjet nuk u janë atribuuar direkt ndryshimeve klimatike, Rick Thoman, specialist i klimës në Universitetin e Alaska Fairbanks, ka thënë se mjedisi i ngrohjes po i bën ngjarjet ekstreme të motit më të mundshme sesa do të kishin qenë”, pa ngrohjen që ka shkaktuar aktiviteti njerëzor. “A do ta përjetojë Yellowsonte një përsëritje të kësaj në pesë a 50 vjet? Mbase jo, ama diku do të ketë diçka ekuivalente apo edhe më ekstreme”, ka bërë të ditur ai.

Shiu i dendur në majë të malit me borën që po shkrihej, i fryu lumenjtë Yellowstone, Stillwater dhe Clarks Fork në nivele rekorde të hënën dhe shkaktoi shkëmbinj dhe rrëshqitje balte, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit. Lumi Yellowstone në Corwin Springs kryesoi rekordin e vendosur në vitin 1918.

Rrugët veriore të Yellowstones mund të mbeten të pakalueshme për një kohë goxha të gjatë. Përmbytja preku edhe pjesën tjetër të parkut, me zyrtarët që paralajmëruan për përmbytje akoma më të mëdha dhe probleme të mundshme me furnizimin me ujë dhe me sistemet e ujërave të zeza në zonat e zhvilluara.

Shirat ranë pikërisht kur hotelet e zonës u mbushën javët e fundit me turistë të verës. Më shumë se 4 milionë vizitorë u numëruan nga parku vitin e kaluar. Vala e turistëve nuk zvogëlohet deri në vjeshtë, dhe qershori është zakonisht një nga muajt më të ngarkuar të Yellowstone. /koha