Përvjetori i masakrës në sheshin Tiananmen, Kina forcon masat e sigurisë

Autoritetet kineze forcuar masat e sigurisë rreth sheshit Tiananmen në Pekin, 34 vjet pas goditjes ushtarake ndaj studentëve që protestonin pro-demokracisë në kryeqytetin e Kinës. Pekini nuk lejon që ngjarjet e vitit 1989 as të diskutohen, masa që tani po zbatohen në masë edhe në Hong Kong. Për këtë arsye viktimat e protestave po kujtohen në vende të tjera të botës.

Autoritetet kineze kanë vendosur pika kontrolli shtesë përgjatë rrugës kryesore që të çon drejt sheshit Tiananmen. Vizitorët dhe çiklistët u ndaluan ndërsa policia u kontrolloi edhe dokumentet e identifikimit. (Vetëm për web)

Kina nuk lejon asnjë diskutim publik për ngjarjet e 3 dhe 4 qershorit të vitit 1989, kur ushtarë me mjete të blinduara ushtarake u dërguan në zemër të Pekinit duke vrarë me qindra, ndoshta mijëra vetë.

Numri i saktë i të vdekurve mbetet i panjohur.

Përvjetori i protestave në sheshin Tiananmen megjithatë u kujtua në vende të ndryshme të botës.

Protestuesit në Berlin të shtunën ndezën qirinj për të përkujtuar 34-vjetorin e shtypjes së protestave.

“Ne kemi organizuar çdo vit përkujtime me qirinj për masakrën e Sheshit Tiananmen. Që prej hyrjes në fuqi të Ligjit të Sigurisë Kombëtare në Hong Kong, ky organizim praktikisht është shpallur i jashtëligjshëm dhe janë penalizuar gjithnjë e më shumë në Hong Kong”, thotë Siu im, nënkryetare e organizatës së banorëve të Hong Kongut në Gjermani.

Përpara pandemisë, dhjetëra mijëra njerëz mblidheshin çdo vit në Parkun Victoria të Hong Kongut, duke ndezur qirinj dhe duke kënduar këngë për të kujtuar viktimat.

Në Manhattan të Nju Jorkut është hapur një ekspozitë përkujtimore me relike nga protestat në sheshin Tiananmen.

“Arsyeja pse kjo ekspozitë përkujtimore është këtu pasi Muzeu i 4 Qershorit të Hong Kongut u mbyll me forcë nga Partia Komuniste Kineze në shtator të vitit 2021. Pra, Partia Komuniste, ka ndërhyrë për të fshirë historinë dhe për të harruar krimet që kanë kryer”, thotë Wang Dan, ish student pjesëmarrës në protestat që janë mbajtur në sheshin Tiananmen më 4 qershor 1989.

Hong Kongu, ishte koloni britanike që iu dorëzua Kinës më 1997.

Policia e Hong Kongut u filmua të dielën duke arrestuar një grua pranë vendit ku zakonisht kujtohen përvjetorët e protestave në sheshin Tiananmen.

Protesta e vitit 1989 ishte kulmi i protestave që kishin filluar vite më parë me kërkesa për liri më të madhe politike.

Protestuesit u nxitën edhe nga vdekja e politikanit me peshë, Hu Yaobang, i cili kishte mbikëqyrur disa nga ndryshimet ekonomike dhe politike të viteve 80. Dy vjet para vdekjes ai ishte përjashtuar nga pozitat udhëheqëse në parti nga kundërshtarët politik.

“Unë isha i pari që shkova në sheshin Tiananmen për të përkujtuar vdekjen e Hu Yaobangut dhe isha i fundit që u largova nga sheshi Tiananmen kur trupat na sulmuan dhe na ndoqën jashtë. Në mes të këtyre zhvillimeve kam përjetuar momentin më të mahnitshëm në histori”, thotë Zhou Fengsuo, një nga ish udhëheqësit studentor të protestave të sheshit Tiananmen ndërsa vizitonte muzeun në Nju Jork.

Në Kinë një grup nënash që humbën fëmijët e tyre gjatë shtypjes së protestave në sheshin Tiananmen lëshuan një deklaratë duke ripërsëritur thirrjen e tyre për “të mësuar të vërtetën, kompensimin e familjeve të viktimave si dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të asaj çka ndodhi 34 vite më parë.

Organizata jo qeveritare “Human Rights Watch” i ka bërë thirrje qeverisë kineze të pranojë përgjegjësinë për vrasjen e protestuesve pro-demokracisë. /voa