Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Plani djallëzor i kurdëve në Siri që nuk u zbatua dot

Plani djallëzor i kurdëve në Siri që nuk u zbatua dot

Dhjetëra tunele në Raka, enkas për një luftë ndaj pushtetit të ri të Damaskut

Në stadiumin e madh oval të Raka-s, historia e luftës në Siri është e shkruar edhe nëntokë. Poshtë rrënojave të fushës së futbollit, ku dikur ISIS mbante bazën e tij kryesore të torturave, forcat kurde të SDF-së kanë lënë pas një trashëgimi tjetër: një rrjet gjigant tunelesh të projektuar për një rezistencë guerile që nuk u realizua kurrë.

Sot, stadiumi ruhet nga forcat e Sigurisë së Përgjithshme besnike ndaj presidentit Ahmed Al-Shara. Brenda bodrumeve, ku ISIS dikur kishte improvizuar qeli të tmerrshme si “kafazet e qenve”, gjenden hyrjet e fshehta për një “Raka tjetër”.

Ky qytet nëntokësor përbëhet nga tunele kilometrike, të gërmuara me saktësi teknike dhe të mbuluara me kapakë metalikë. Sipas dëshmive të ushtarëve sirianë, këto tunele ishin menduar si një aset strategjik për t’i bërë ballë dy kërcënimeve: ofensivës së ushtrisë rregullte siriane nga jugperëndimi dhe bombardimeve turke nga veriu.

Kurdët, duke mos pasur male si strehë natyrore në këtë rajon, tentuan t’i krijonin ato artificialisht nën tokë. Qëllimi ishte krijimi i vendeve të fshehta për armatime dhe lëvizja e trupave pa u diktuar nga sipërfaqja.

Megjithatë, ky plan dështoi sapo ndryshuan ekuilibrat politikë. Fiset arabe, që përbënin shtyllën kurrizore të forcave kurde në rajon, ndryshuan krah dhe u bashkuan me administratën e re. Ky ndryshim aleancash, bëri që rrjeti i kushtueshëm i tuneleve të braktisej pa u përdorur për qëllimin e tij luftarak.

Aktualisht, në qytetet si Raka dhe Tabka, këto gërmime përbëjnë rrezik për popullatën civile. Shembjet e papritura të tokës nëpër lagje dhe prania e minave të lëna pas nga tërheqja kurde kanë detyruar ushtrinë siriane të bllokojë hyrjet.

Ajo që duhej të ishte kështjella e pathyeshme e rezistencës kurde, sot shërben vetëm si një dëshmi e investimeve ushtarake që lanë pas dore infrastrukturën jetike për qytetarët e rrënuar nga lufta./tesheshi

Exit mobile version