Planet e njoftuara së fundmi nga Izraeli për të ndaluar blerjen e pajisjeve ushtarake franceze shihen më shumë si një veprim simbolik, pasi Franca nuk është furnizues kryesor për Tel Avivin, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës investigative online “Mediapart”, Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi në fund të marsit se do të ndalonte importimin e pajisjeve mbrojtëse nga Franca, duke nënkuptuar se Parisi nuk konsiderohej më një nga aleatët e vendit.
Megjithatë, “Mediapart” në raportin e saj të botuar të mërkurën, argumentoi se ky veprim është “kryesisht simbolik” duke theksuar se vendi nuk është një furnizues kryesor për Izraelin.
Raporti vë në dukje se në vitin 2024, Franca i ka dorëzuar Izraelit pajisje ushtarake me vlerë 16.1 milionë euro. Ai shtoi se ndërsa porositë e reja për Izraelin arritën në 27.1 milionë euro, ato arritën në 1.25 miliardë euro për Irakun, 718 milionë euro për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 170 milionë euro për Arabinë Saudite.
Njoftimi izraelit vjen pasi avionët amerikanë kaluan tranzit nëpër Francë pas shpërthimit të luftës në Iran.
Shtabi i Përgjithshëm Francez tha në fillim të marsit se avionët u pranuan në bazën ajrore në Istres vetëm pas garancive se ata “nuk do të merrnin pjesë në asnjë mënyrë në operacionet e kryera nga SHBA-ja në Iran”.
Vëzhguesit ushtarakë të cituar nga “Mediapart” vunë re se edhe avionët e mbështetjes logjistike kontribuojnë indirekt në operacione, megjithëse nuk kryejnë sulme të drejtpërdrejta.
