Ballina Lajmet Kosovë Policia e Kosovës ndalon në veri automjetin me mallra të kontrabanduara

Policia e Kosovës ndalon në veri automjetin me mallra të kontrabanduara

“Gjithashtu në veturë janë gjetur edhe një palë targa të shtetit të Serbisë, një kanistër i plastikës me naftë dhe një radiolidhje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë konfiskuar mall të kontrabanduar në pjesën veriore të territorit të Kosovës, transmeton Anadolu.

Policia njofton se më 6 prill rreth orës 7 të mbrëmjes në zonën e fshatit Banjskë dhe Sharani-Kamen në rrugë malore, gjatë një aksioni të përbashkët për luftimin e kontrabandës kanë vërejtur fillimisht një automjet pa targa i cili lëvizte me shpejtësi të madhe të cilën kishin arritur ta ndalnin.

Sipas Policisë, njësitë policore janë vënë në ndjekje dhe pas pak kanë hasur në veturën e dyshimtë, por personi apo personat e kishin braktisur veturën dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

“Gjatë kontrollit është vërtetuar se në veturë kishte mall të kontrabanduar 32 thasë me pantallona (1.217 palë xhinse) dhe një thes me rripa të pantallonave (303 copë rripa). Gjithashtu në veturë janë gjetur edhe një palë targa të shtetit të Serbisë, një kanistër i plastikës me naftë dhe një radiolidhje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Me këtë rast, njësitë nga Dogana e Kosovës kanë bërë konfiskimin e mallit të kontrabanduar dhe me udhëzimet e Prokurorit të shtetit rasti mbetet të trajtohet nga Dogana e Kosovës.

Exit mobile version