Policia gjermane ka arrestuar disa protestues pro-palestinezë në Berlin dhe u ka ndaluar atyre të lëshonin muzikë dhe të brohorisnin slogane në arabisht kundër Izraelit, raportoi agjencia e lajmeve Anadolu.
Qindra njerëz u mblodhën në sheshin pranë stacionit të metrosë Wittenbergplatz për të shprehur mbështetjen për Palestinën, nën moton “Ndalo agresionin në Bregun Perëndimor – Mos furnizoni armë për Izraelin.”
Protestuesit mbanin flamuj palestinezë dhe pankarta me mesazhe si “Larg duart nga Bregu Perëndimor”, “Ndal furnizimit me armë për Izraelin” dhe “Fëmijët palestinezë meritojnë të rriten”.
Gjatë tubimit, disa pjesëmarrës mbajtën fjalime në arabisht dhe brohoritën slogane kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa luanin muzikë arabe.
Policia ndërhyri, duke përmendur një ndalim për muzikën arabe dhe kërkoi shpërndarjen e protestuesve.
Më shumë se 50 protestues refuzuan të largoheshin dhe organizuan një protestë ulur, çka çoi në arrestimin e disa prej tyre. /mesazhi