Ballina Lajmet Kosovë Policia konfirmon arratisjen e Enver Sekiraqës: Nuk e gjetëm në shtëpi, kemi...

Policia konfirmon arratisjen e Enver Sekiraqës: Nuk e gjetëm në shtëpi, kemi informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Enver Sekiraqa është arratisur nga shtëpia e tij – ku ishte duke qëndruar në arrest shtëpiak.

Në një përgjigje për teve1.info, policia thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi.

Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, kanë thënë nga policia.

Ndryshe, orë më parë burime të Tëvë1 kanë thënë se Sekiraqa është arratisur nga shtëpia dhe i njëjti aktualisht ndodhet në arrati.

Departamenti Special e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, pasi sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore Enver Sekiraqa u dënua me 25 vite dënim me burgim dhe në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari e kishte liruar nga masa e arrestit shtëpiak.

Nuk dihen rrethanat se si ka ardhur deri tek arratisja e Sekiraqës, mirëpo i njëjti nuk është në vuajtje të dënimit.

Sekiraqa u shpall fajtor për nxitje të vrasjes të policit Triumf Riza.

Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vite burgim.

Ish-polici, Triumf Riza, është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.

Exit mobile version